Vlerësimi paraprak i Asociacionit qytetar MOST sipas raporteve dhe informacioneve të marra nga vëzhguesit është se rrethi i parë i zgjedhjeve lokale u mbajt në atmosferë korrekte dhe demokratike, ndërsa qytetarët dolën lirshëm dhe e dhanë votën e tyre, deklaroi drejtori ekzekutiv i Asociacionit qytetar MOST, Darko Aleksov.
Ai e përshëndeti edhe reagimin e shpejtë dhe efikas të institucioneve gjatë votimit.
“Të gjitha rastet e izoluara të fotografimit të fletëvotimeve janë adresuar me kohë dhe në mënyrë efikase nga ana e këshillave zgjedhorë, në bashkëpunim me policinë, e cila mundësoi zbatim përkatës të dispozitave ligjore, që nuk ka qenë rast në të kaluarën. Kjo kontribuon drejt parandalimit të presioneve mbi qytetarët që të votojnë lirshëm”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp Darko Aleksov.
Policia shtoi ai, ka qenë efikase edhe gjatë mënjanimit të personave jokompetent, të cilët kanë qenë të pranishëm para edhe në një pjesë të objekteve, në të cilat janë të sistemuara vendvotimet.
Në vendvotimet ku janë vërejtur sfida teknike gjatë zbatimit të votimit, këshillat zgjedhorë dhe komisionet komunale zgjedhore kanë reaguar me kohë dhe në mënyrë efikase.
“Në këto zgjedhje janë formuar 3.480 këshilla zgjedhorë nga ana e KKZ-së dhe një pjesë e sfidave në punën e tyre janë rezultat i trajnimit jo të barabartë, që e kanë marrë nga ana e komisioneve komunale zgjedhore, respektivisht ata nuk kanë vepruar në mënyrë të unifikuar në të gjitha rastet. MOST vërejti një sërë rastesh në të cilat këshillat zgjedhorë nuk lejuan votim në emër të një personi tjetër dhe votim familjar. Gjithashtu, dukshëm është zvogëluar numri i personave, që janë prononcuar si analfabetë dhe kanë kërkuar ndihmë për të votuar”; tha Aleksov.
Lidhur me votimin e të sëmurëve dhe të pafuqishmëve të zbatuar një ditë para zgjedhjeve, tha se në këto zgjedhje ka vazhduar trendi i zvogëlimit të numrit, të cilët sipas të dhënave zyrtare të KSHZ-së ka arritur 5.025.