Alsat 2019-10-19T15:32:54+02:00
Kryeministri Zoran Zaev propozoi zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejtë të jetë e mundur. Ky propozim i kryeministrit vjen një ditë pasi vendi nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Europian. Zaev mori përgjegjësinë duke thënë se njëjtë si populli edhe ai ndjehet i zhgënjyer nga vendimi i Këshillit Europian. Zaev tha se do të respektojë ligjin për qeveri teknike pa precizuar se kur do të tërhiqet nga posti i kryeministrit.
Propozoj organizimin e zgjedhjeve të shpejta parlamentare. Zgjedhje sa më shpejtë të jetë e mundur. Zgjedhje në të cilat ju qytetarë do të vendosni për rrugën në të cilën duhet të ecë shteti ynë. Ky do të jetë edhe propozimi im në takimin e nesërm të liderëve tek presidenti Pendarovski. Organizimi i zgjedhjeve që qytetarët të tregojnë se në cilin drejtim të ecim tutje. Qytetarët kanë mandat të vendosin. Të vazhdojmë në rrugën e vërtetë të vlerave evropiane dhe demokratike, rrugën e zhvillimit, prosperitetit dhe rrugën që të shpie para, apo në rrugën e errët të izolimit, nacionalizmit, ndarjeve dhe konflikteve, respektivisht rrugën që kthen mbrapa. Qytetarët do të vendosin se a do të ndërtojmë partneritet me fqinjët dhe vende tjera demokratike, ose do të vazhdojmë me konfrontime dhe probleme me fqinjët dhe të gjithë miqtë tanë”-tha Zoran Zaev, kryeministër.
Kryeministri tha se Bashkimi Europian nuk e mbajti premtimin e dhënë, ndërsa shtoi se Maqedonia e Veriut është viktimë e gabimit historik të BE-së.
BE nuk e mbajti fjalën për atë që e premtoi. Ne i përfunduam të gjitha obligimet tona, kishim rezultate në reforma, i zgjodhëm kontestet me fqinjët, por ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk na dhanë. Ajo që BE nuk arriti të sjellë vendim për hapjen e negociatave me ne, është gabim i tyre historik. Dhe këtë e dëshmuan të gjithë liderët evropian. Ne bëmë gjithçka që duhej dhe gjithçka që mundëm. Sot dua të falënderoj publikisht shumicës së liderëve evropian që luftuan të sillet vendim pozitiv për ne”-pohoi Zoran Zaev, kryeministër.
Kryeministri Zaev nuk përmendi periudhën se kur do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke thënë se për këtë pret të dëgjojë edhe propozimet e opozitës në takimin e liderëve të thirrur nga presidenti Stevo Pendarovski.
Mefail Ismaili
Loading…


