Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se është zbardhur rasti i vrasjes që ndodhi më 10 shkurt 2025, në një parking në Çair, ku humbi jetën H.B., 35 vjeç, nga Shkupi.
Sipas njoftimit të MPB-së, 8 persona janë nën hetime dhe do të përballen me akuzat për vepra të rënda penale, përfshirë “vrasje”, “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, “bashkëkryerje” dhe “ndihmesë në kryerjen e veprës penale”.
Në detajet e zbardhjes, SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal kundër N.M. (28 vjeç) nga Shkupi, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “vrasje” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” në lidhje me “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”. Po ashtu, janë ngritur kallëzime ndaj B.B. (39 vjeç), A.D. (34 vjeç), dhe B.A. (30 vjeç), gjithashtu nga Shkupi, për “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”, ndaj N.D. (22 vjeç) dhe A.D. (23 vjeç), për “bashkëkryerje” lidhur me vrasjen, dhe ndaj N.G. (39 vjeç) dhe K.T. (28 vjeç), gjithashtu nga Shkupi, për “ndihmesë në kryerjen e veprës penale”.