Afrim Tanallari
Kauza e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, si në aspektin ligjor dhe institucional ashtu edhe në atë kulturor, duhet të lartësohet dhe të zgjerohet në përdorim. Kjo është një përgjegjësi që u takon në radhë të parë bartësve të funksioneve publike, të cilët kanë jo vetëm obligim moral, por edhe detyrim ligjor për ta respektuar dhe promovuar përdorimin e saj.
Në të njëjtën kohë, profesorët dhe intelektualët kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në planin kulturor, duke mos lejuar relativizimin e çështjeve që prekin identitetin dhe të drejtat themelore të shqiptarëve.
Arsyetimi i qëndrimeve që kufizojnë përdorimin e gjuhës shqipe, si kundërshtimi që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip, përbën një hap prapa dhe nuk i shërben barazisë gjuhësore.
Relativizimi i një çështjeje kaq fundamentale dhe identifikuese është gabim, sepse gjuha është shtyllë e identitetit dhe e barazisë qytetare. Përpjekjet për ta lartësuar përdorimin e saj duhet të jenë të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe të pakompromis, me synim forcimin e pozitës së saj në çdo institucion dhe në jetën publike.
Kjo kauzë nuk duhet të arsyetohet apo të zbehet, por të mbrohet dhe të avancojë vazhdimisht.


