28 Shkurt
Nëse zgjedhjet lokale nuk shpallen me kohë, në vend do të bllokohet funksionimi i pushtetit lokal. Mandati i kryetarëve të komunave përfundon në muajin maj dhe nëse deri atëherë nuk mbahen zgjedhjet e reja vendore, krerët e komunave dhe këshillat komunal nuk do të kenë më asnjë kompetencë. Kodi Zgjedhor nuk le mundësi për zëvendësimin e tyre pa zgjedhje të drejtpërdrejta. Në situata të këtilla nëpër komuna do të bllokoheshin të gjitha aktivitetet, si investimet dhe projektet ndërsa krerët komunal që konsultoi Alsat sqarojnë se në pikëpyetje do të vihen edhe pagat e të punësuarve nëpër shkolla fillore dhe institucionet tjera që funksionojnë në kuadër të komunës. E vetmja mundësi për të shmangur bllokimin e institucioneve lokale mbetet zgjatja e afatit të krerëve komunal përmes ndërhyrjeve në Kodin Zgjedhor.
Në këtë situatë një shtyrje eventuale vetëm se do të vazhdonte afatin e këtyre përpjekjeve dhe nëse do të thoja në aspektin politik, vazhdon kriza politike është më e keqe por në aspektin ekonomik dhe infrastruktural është pozitive, sepse do të vazhdojnë përpjekjet deri në ditën e zgjedhjeve. Ashtu që do të vazhdohet një afat dy muaj apo tre muaj në të cilën qytetarët do të mund të presin realizime dhe angazhime më të përkushtuara të qeverisjeve aktuale lokale në funksion të përmbushjes së objektivave të tyre – deklaroi akademiku Abdylmenaf Bexheti.
Profesori universitar Agni Aliu shpreson se ditëve në vijim do të arrihet marrëveshje për formimin e qeverisë së re, sepse sipas tij, çdo skenar tjetër shkon në dëm të qytetarëve të Maqedonisë.
Kam përshtypje se tani ka ardhur koha që të formohet qeveria e re, dhe shpresojmë se ajo ndodhet ditët e ardhshme, ashtu që të kapet afati për shpalljen e zgjedhjeve lokale. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë zgjidhje institucionale nuk ka përpos që Maqedonia të vazhdoj rrugën e turbulencave, rrugë e cila nuk është në favor të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë – tha profesor Agni Dika.
Sipas Kodit Zgjedhor, më së voni të hënën, duhet të shpallë zgjedhjet e rregullta lokale. Nga KSHZ-ja thonë se data e fundit për shpalljen e lokaleve është 6 marsi, për t’u respektuar afati ligjor që zgjedhjet të mbahen në gjysmën e parë të muajit maj. Shpalljen e zgjedhjeve po e mbanë të bllokuar mungesa e marrëveshjes mes partive për zgjedhjen e kreut të kuvendit.