Që nga viti 2002 Maqedonia nuk ka regjistrim të popullsisë. Tentimi për regjistrim në vitin 2011 dështoi dhe tashmë Maqedonia është nga vendet e rralla në botë që nuk ka regjistrim të popullsisë.
Pikërisht për këtë kanë reaguar edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perendimore prej nga theksojnë se nuk ka asnjë të dhënë që do të mund të shfrytëzonin investitorët potenacial që dëshirojnë të investojnë në Maqedoni.
“Regjistrimi i popullatës edhe më tej është një nga çështjet më të hidhura. Nebuloze janë arsyet pse nuk është zbatuar. Por, ta lëmë atë anash. Jozyrtarisht, shumë nga kuadrot e reja ikin, e nuk dimë saktë sa, as nuk dimë sa realisht banorë dhe amvisëri kemi. Regjistrimi do të japë një pasqyrë të qartë për atë se çfarë drejtimi ekonomik do të kapim si shtet, ku më së shumti do të përqëndrohemi, në cilat sfera, kush do të jetë targeti kryesor për ne”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perendimore.
Akademiku Abdylmenaf Bexheti thotë se në një të ardhme të afërt regjistrimi i popullsisë mund të jetë një nga kushtet kryesore për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.
“Në anën tjetër a do të jetë regjistrimi i popullësisë së Maqedonisë në çështjet e kritereve të ashtuquajtura kushtëzuese për përafrim apo fillim të nëgociatave me BE-në besoj se është diçka për të cilën specifikisht vendi duhet që të përkushtohet jo pse ia imponojnë si kusht dikush tjetër pra në këtë rast Brukseli por është një diçka pa të cilën nuk bëhet për të cilën domosdoshmërisht shteti sa më parë duhet të gjej mënyrë që ta bëjë atë.Prandaj pa marrë parasysh a do të jetë kusht apo jo regjistrimi i popullsisë na duhet më shumë se sa një aspekt i të qenit vetëm kusht”, thotë akademiku Bexheti./TV Koha