Familjarët e të dënuarve për rastin “Monstra” kanë mirëpritur propozimin e Prokurorisë Publike për rishqyrtim të lëndës dhe kthimin e saj në Gjykatën e shkallës së parë. Ndonëse gjithnjë janë të bindur në pafajësinë e djemve të tyre, familjet vlerësojnë se Gjykata Supreme do të reflektojë për drejtësi. Bedri Ajdari thotë se tek familjarët tani ka një dritë shprese e drejtësia e kërkuar gjatë pesë viteve të fundit më në fund do të del në shesh.
Këtu nuk kishte ndonjë palë e cila fitoi dhe tjetra humbi, por ishte puna që rasti të merr epilog të drejtë për të cilin ne po luftojmë që pesë vite e tepër. Ajo që ndodhi dje neve na jep një shpresë për një zgjidhje të drejtë dhe në mënyrë ligjore të përfundoj ky rast ashtu edhe siç e meriton – deklaroi Bedri Ajdari, Familjar i të dënuarve.
Ekspertët juridik, këtë hap të organeve hetuese e llogarisin një kthese të madhe pozitive në sistemin juridik të vendit. Osman Kadriu pohon se zbardhja e “Monstrës” do të zgjeroj korsitë e rrugës drejtë reformave në sistemin gjyqësor. Ai thotë se rasti është i montuar pasi me asnjë provë nuk është dëshmuar fajësia e gjashtë të dënuarve me burg të përjetshëm.
Për këtë rast dyshohet që nga fillimi i ngritjes së aktakuzës, vendimi i shkallës së parë dhe vendimi i shkallës së dytë se punohet për rast të montuar. Mendoj se me përsëritjen e procedurës, gjykata Apelit do të sjell vendim adekuat se punohet për rast të montuar dhe se personat e akuzuar dhe të dënuar me dënime drakonike do të shpallen të pafajshëm. Ky vendim përfaqëson po ashtu një kthesë të rëndësishme juridike dhe të qëndrueshme se kështu duhet të vazhdohet edhe për procese tjera të montuara politike – theksoi Osman Kadiru, Jurist.
Ditë më parë, në seancën e Gjykatës Supreme për rastin “Monstra”, Prokuroria Publike propozoi rishqyrtim të lëndës. Organi akuzës duke marr për bazë ankesat e mbrojtjes dhe njëkohësisht duke kryqëzuar provat me rrethanat, por edhe më dëshmitë e siguruara nga materialet e përgjuara , ka konstatuar se akuza për këtë rast është e dyshimtë dhe se ka argumente të forta që për rastin në fjalë vuajnë persona të pafajshëm. Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012, me burg të përjetshëm u dënuan 6 persona nën akuzën për vepër terroriste. Në ditën e arrestimit, të akuzuarve i ishte shkelur prezumimi i pafajësisë nga ministrja e brendshme aso kohe, ndërsa vendimi për burg të përjetshëm ishte pasuar me protesta të dhunshme dhe dënime me burg.
Adrian Kerimi

