Mbrëmjen e 28 qershorit qytetarët e Rrugës së Kavajës në Tiranë u tronditën nga një skenë brutale që ndodhi në sy të tyre. Në burrë rreth 40 vjeç nën efektin e alkoolit dhunoi në mënyrë makabre bashkëjetuesen e tij. Burri, i cili vetëm disa minuta më vonë u prangos nga policia qëllonte me grushta e shkelma të renë në sy të dy fëmijëve të saj të mitur derisa ajo humbi vetëdijen.
Emisioni “Me zemër të hapur” ka siguruar video ekskluzive të momenteve kur gruaja me ndihmë të kalimtarëve i shpëton barbarisë së burrit dhe niset me autoambulancë për të marrë ndihmën mjekësore. Në studion e emisionit të Evis Ahmetit ka qenë zonjë, e cila u bë dëshmitare okulare e kësaj ngjarje tronditëse.
“Nuk fola me grua, pasi ishte në gjendje të fikti. Ndjeva që ndaj saj kishte racizëm. Kishte biznese dhe njerëz aty qe vetëm shikonin dhe nuk i vinin në ndihmë. Ishte e tmerrshme. Bashkëpunëtori im la makinën në rrugë dhe e gjurmoi agresorin e mbajti derisa erdhi policia. Pashe fëmijët e vegjël 1 dhe 2 vjeç. Ishin të pa veshur dhe të paushqyer. Më i vogli thërriste mami ndërsa më i rrituri i fshinte gjakun.
Faleminderit kësaj studio që më jep mundësinë të denoncoj këto raste. Më ka tronditur dhe rasti i nënës së abuzuar seksualisht në Grabian të Lushnjës. Nëna doli me legen të thyer dhe vdiq pas 2 javësh e vetme. Në varrimin e saj kanë qene vetëm 2 persona. Media e trajtoi shumë keq këtë rast.”, tha gruaja.
Ndërkohë, një tjetër dëshmitar, Leonard Berisha tha se ishte duke ikur në rrugë me makinë kur pa një burrë që goditi një grua pasi i mori disa të holla.
“Isha duke ikur në rrugë me makinë kur pashë një burrë që goditi gruan i mori paratë dhe u largua. Lashë makinën dhe e gjurmova e kapa i thashë; “Ndal, Policia”. Më tha më lër se kam hallet e mia. Ai pretendonte se gruaja e kishte tradhtuar prandaj e dhunoi. E mbajta për 6 minuta e gjysmë derisa erdhi policia dhe arrestoi.”, -pohoi ai.



