Xhelal NEZIRI
Mbi dy dekada pluralizëm në Maqedoni, shqiptarët në fakt kanë krijuar mite dhe kanë ndjekur symbyllas deri në dështimin e madh. Platformat as që janë lexuar dhe as që është kërkuar llogari për moszbatimin e tyre. Është ndjekur kulti i liderit derisa ai të ketë përfunduar në humnerë.
Mitet në politikë përherë janë treguar të dëmshme. Ngritja e një politikani në nivelin e një mbinjeriu, i cili edhe kur gabon ka një qëllim të mirë, është mënyra që sjell vetëm evitimin e llogaridhënies dhe satanizimin e kritikëve.
Mitet në politikë nuk lënë hapësirë për mendim ndryshe, por veprojnë si një hipnozë kolektive vetëshkatërruese, e cila është rëndë të dekompozohet nga arsyeja. Si çdo kund tjetër, mitet jetojnë në përrallat apo konspiracionet që tregon vesh më vesh, e që shpesh janë vetëm trillime.
Të gjithë diktatorët janë ngritur mbi mitet e krijuara për të në masat e gjera popullore. Nga Hitleri, Musolini, Stalini, Hoxha e deri te Millosheviqi e Kim Jong Ill. Ideologjia e tyre në fakt ka qenë simboli që kanë krijuar nga portreti i tyre prej një luftëtari të pashoq për kauzën kombëtare.
Mbi dy dekada pluralizëm në Maqedoni, shqiptarët në fakt kanë krijuar mite dhe kanë ndjekur symbyllas deri në dështimin e madh. Platformat as që janë lexuar dhe as që është kërkuar llogari për moszbatimin e tyre. Është ndjekur kulti i liderit derisa ai të ketë përfunduar në humnerë.
Dridhjet
Po qe se kthehemi në fillimin e instalimit të sistemit shumëpartiak në Maqedoni, partitë e formuara kishin një fuqi që buronte nga figura e liderit. Kjo figurë mëtonte të imponohej në opinion si një baba, i cili bën të pamundurën për fëmijët e tij. Atij nuk duhej t’i kërkohet llogari, as të kritikohet për ndonjë veprim apo vendim që ka marrë. Pra, figura e babait politik apo babait të kombit, është figura e një politikani të paprekshëm. Çdokush që merr guximin ta kritikojë, ose do të ballafaqohet me kërcënime serioze ose do të linçohet në opinion duke u akuzuar si zgjatim i shërbimeve anti-shqiptare.
Portretizimi i liderit me premisa të mbinjeriut të pagabueshëm është vetëm një hap drejt kalimit të tij në një diktator të ftohtë, pa ndjenja dhe mizor. Dikush më e pak e dikush më shumë, gati të gjithë liderët politikë kanë shfaqur tendenca diktatorësh. Sa është kjo rezultat i ambicieve të tyre për të kontrolluar gjithçka, aq është edhe rezultat i mungesës së vetëdijes politike te masa e gjerë. Në gati të gjitha vendet me shoqëri që nuk kanë vetëdije politike ballafaqohemi me fenomenin e transformimit të liderëve nga luftëtarë të denjë për liri dhe demokraci, në diktatorë apo diktatorthë të korruptuar dhe inkriminuar. Pikërisht në këto shoqëri assesi të funksionojë sistemi demokratik, qëllimi i të cilit është përfshirja e çdo individi apo grup njerëzish në procesin e vendim-marrjes politike. Standardi i ulët jetësor dhe niveli i pamjaftueshëm dhe jokualitativ arsimor gjithsesi se janë ndër faktorët që e bëjnë demokracinë jofunksionale në po këto shoqëri. Megjithatë, mbase me vonesë, edhe në këto shoqëri vjen momenti i kthjellimit me atë që procesin e demitizimit të liderit aktual e fillon një lider tjetër që po lind.
Demitizimi
Ajo që po ndodh në Maqedoni është pikërisht proces i demitizimit të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. I ngulitur në mbamendjen kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë si një komandant dhe luftëtar lirie, Ahmeti gjatë kohë ishte i pakontestuar në kampin politik shqiptar. Veprimtaria e tij ilegale prej më se dy dekadave, involvimi i tij në organizimin dhe zbatimin e luftës në Kosovë dhe Luginë të Preshevës në Jug të Serbisë, kthimi triumfal të vendlindjen e tij në Zajaz, maturia që tregoi në politikë ishin disa imazhe që e ngritën në mit te shqiptarët e Maqedonisë. Çdo dështim i partisë së tij u atribuohej të gjithëve, por jo atij. Ahmeti në çdo variant paraqitej si viktimë e lojërave të brendshme, si naiv në politikë pasi ia keqpërdorin sinqeritetin, një luftëtar i urtë e i vendosur, një njeri që gabon por nuk luhatet nga qëllimi final. Këtë mister Ahmeti e ndërtonte nëpërmjet deklaratave formale dhe joformale që jepte. “Kam një merak, por ende nuk është koha për ta thënë”, është kjo një thënie që përdoret nga përkrahësit e tij për të ushqyer iluzionin se Ahmeti nuk është dorëzuar nga kauza të cilën e ka proklamuar – rrënimi i kufijve mes shqiptarëve. Në sytë e opinionit publik shqiptar Ahmeti, pra, ishte i miri dhe viktima e hienave nga të cilët rrethohej. Edhe në partitë tjera e kishim këtë fenomen – lideri i mirë por është i rrethuar nga njerëz të këqij. Në këtë përralle politike, të gjitha dështimet e BDI-së adresoheshin te ministrat e deputetët kurse figura e liderit mbetej e paprekur. Kjo situatë krijonte njëkohësisht mllef ndaj funksionarëve që “nuk e dëgjojnë liderin e sinqertë”, por edhe mobilizim për ta ndihmuar liderin në “misionin e tij të shenjtë”.
Nëse liderët paraprak të shqiptarëve të Maqedonisë u demitizuan nga konkurrentët politikë, Ahmeti si duket u godit nga lustrimi i të kaluarës së afërt politike – nëpërmjet publikimit të bisedave të përgjuara. Këto biseda rrënuan mitin e tij prej një negociuesi të pakompromis me partnerin maqedonas, duke e dëshmuar rolin e tij inferior në koalicionin qeverisës. Po ashtu, e prishën përrallen se ai ka probleme dhe është viktimë i “të këqijve” si Musa Xhaferi dhe se është politikan që nuk korruptohet.
Paqartësia
Afera “Telekom” që doli në opinion prej para tre viteve u aktualizua sërish me publikimin e dëshmisë së ish-drejtorit të shërbimit inteligjent maqedonas Sllobodan Bogoevski. Ai ka qenë i ftuar në Ambasadën Amerikane në Shkup për të dëshmuar për këtë aferë para një trupi gjykues nga Nju Jorku, ku edhe procesuohet ky rast i korrupsionit mbi 5 milionë eurosh i paguar në vitin 2005 për të zgjatur monopolin e “Telekomit” në tregun e Maqedonisë. Përmendja e emrit të Ahmetit në këtë aferë, vetëm se përshpejtoi procesin e demitizimit.
Mirëpo, ky proces i demitizimit të Ahmetit nuk shoqërohet nga procesi i ngritjes së rivalit të tij politik. Lideri i PDSH-së, i ndjeri Arbër Xhaferi, u ngrit duke rrënuar mitin e liderit të PPD-së, të ndjerit Abdurahman Haliti. Ahmeti, ndërkaq, u ngrit pasi rrënoi mitin e Xhaferit. Rënia e Ahmetit duket se do të përcillet me ngritjen e disa figurave politike, të cilat nuk do të mund të përdorin hipnozën kolektive për të krijuar mite të reja politike te shqiptarët.