Tensionimi i situatës politike në Maqedoni, ka krijuar atmosferë shqetësuese në Bruksel. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini, deklaroi mbrëmë pas diskutimeve në Këshillin për punë të jashtme të BE-së, se shqetësimi më i madh është që kriza politike dhe institucionale të mos shndërrohet në konflikt ndëretnik. Ajo ka porositur liderët politik që të mos luajnë me zjarr, pasi në rast se kriza shndërrohet në konfrontim ndëretnik, ajo do t’i kushtonte shumë vendit.
“Sa jam e shqetësuar? Jam, por po përpiqem të mësohem që të kaloj shqetësimet e mia dhe të shoh potencial për zgjidhje të krizës politike dhe institucionale, sepse ajo me të cilën ballafaqohet Shkupi është krizë politike dhe institucionale. Shqetësimi im kryesor është kjo mos shndërrohet në krizë ndëretnike dhe ky ka qenë mesazhi kryesor që u kam përcjell atyre që kanë përgjegjësi politike në vend: Mos luani me zjarr, mos e shndërroni këtë në konfrontim ndëretnik i cili do ta shkatërronte vendin dhe me siguri do të përhapej më gjerë”, ka thënë Federika Mogerini, Përfqësuese e lartë e BE-së.
Mogerini ka deklaruar se vendi ka kapacitet për të dalë nga kriza, ndërsa instrumentet për këtë janë që Presidenti të tregoj mençuri dhe Kuvendi të vazhdoj procedurën e zgjedhjes së kryeparlamentarit.
“Unë besoj se ka instrumente: para së gjithash, mençuria e presidentit, e dyta, kapaciteti i Kuvendit të vazhdojë me zgjedhjen e kryeparlamentarit apo të zhbllokoj situatën, ashtu që kjo krizë politike dhe institucionale do të mund të menaxhohej me instrumentet që Shkupi i posedon, pa ndërhyrje. Normalisht miqtë mund të kujdesen për gjendjen dhe të ardhmen e partnerëve”, ka thënë më tej Mogerini.
Ajo ka theksuar se shpreson që mençuria do të mbisundojë. Mogerini tha se këto porosi ua ka përcjellur edhe politikanëve gjatë takimeve në Shkup, jo vetëm në emër të BE-së por edhe në emër të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe se se në përgjithësi të gjithë ministrat e BE-së fuqishëm i kanë mbështetur të gjitha këto porosi.
Shefat e diplomacive të BE-së, në Këshillin e mbrëmshëm të Unionit nuk sollën ndonjë përfundim sa i përket diskutimit për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e rajonit, ndërsa atë që e përcolli Mogherini është mesazh i BE-së dërguar rajonit.
Teuta Buçi /SHENJA/
Mogerini porosit politikanët: Mos luani me zjarr by tvshenjaofficial

