Shkruan: Afrim Tanallari
Ka vende ku politika është zanat. Ka vende ku politika është luftë. Si dhe ka vende si Ballkani ku politika shpesh është teatër. Në këtë teatër, disa hyjnë me program, disa me flamuj, disa me mllef, ndërsa disa me një talent të veçantë: ta kthejnë fjalën në spektakël dhe spektaklin në pushtet.
Në këtë kategori të fundit, “modeli politik alla Rama” është një specie nw vete. Jo thjesht si figurë, por si metodë: një përzierje e kontrollit të narrativës, ironisë si armë, estetikës si propagandë dhe sulmit parandalues ndaj çdo kundërshtari. E gjithë kjo, me një dozë mjeshtërie që i bën kundërshtarët të duken si njerëz që po flasin me radio me bateri të dobëta, ndërsa ai flet me projektor, me drita, me ekran, me skenë.
A mund të funksionojë ky model në Maqedoni të Veriut?
Po mundet, por me “përkthim”, sepse këtu publiku është më i ndarë, skena është më e copëtuar dhe pushteti nuk është thjesht pushtet është ekuacion etnik, pazar institucional dhe llogari gjeopolitike.
Në Maqedoni të Veriut, ky mekanizëm është edhe më i vlefshëm, sepse shoqëria jeton shpesh në dy-tre realitete paralele: një realitet shqip, një realitet maqedonisht, plus realitete të tjera të vogla që sillen rreth interesave të ditës. Kush arrin të ndërtojë një tregim të vetëm, të arsyeshwm nga shumica, ka bërë gjysmën e punës.
Nëse e ka vetëm pjesën e parë spektaklin do të bjerë në kurthin ballkanik: do të ndërtojë skenë, por jo shtet.


