Përkundër një numri të madh të promotorëve ekonomik si dhe udhëtimeve të shumta të delegacioneve qeveritare për tërheqjen e investitorëve të huaj për të promovuar vendin si oazë e investimeve të huaja dhe lehtësimeve të shumta fiskale, investimet e huaja direkte në pesë vitet e fundit shënojnë rënie të vazhdueshme.
Të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM), për 9 muajt e parë të vitit 2016, tregojnë se investimet e huaja shënojnë një shifër prej 199 milionë euro, që në raport me Bruto Prodhimin Vendor është 0,4 për qind, duke shënuar nivelin më të ulët gjatë viteve të kaluara.
Investimet huaja në Maqedoni, sipas ekspertëve ekonomik, do të ishin edhe më të ulëta se ato të tanishmet nëse Maqedonia nuk do të ofronte edhe lehtësime të shumta fiskale. Besnik Fetai, profesor dhe ish ministër i Ekonomisë, thotë se edhe përkundër përpjekjeve të shumta të Qeverisë për të tërhequr investitorë të huaj duke u ofruar atyre lehtësime fiskale, Maqedonia edhe më tej ngel pas vendeve të rajonit sa i përket investimeve direkte të huaja./Koha