Alsat-M 2019-09-07T16:12:28+02:00
Me dëmtime të rënda në fytyrë dhe krahun e djathtë të thyer, doktori Arben Emurllai vazhdon të kurohet në Repartin e Neurokirurgjisë në Shkup. Gjatë vizitës së tij në Qendrën Klinike Universitare, ai nuk deshi të komentojë para kamerës, por tha se sulmi ka ndodhur për arsye banale nga dy persona brenda 10 sekondash. SPB-Tetovë dje arrestoi sulmuesit duke bërë kallëzim penal kundër dy vëllezërve nga Reçica e Madhe, me dyshimin se kanë kryer veprën penale “dhunë”, sipas nenit 386, pika 3 e Kodit Penal.
A.B. 43 vjeç dhe L.B. 40 vjeç janë privuar nga liria dhe janë duke u mbajtur në stacionin policorë të Tetovës. Rasti është proceduar në gjykatë dhe gjatë ditës ata do të nxirren para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Tetovë.”- theksuan nga Ministria e Punëve të Brendshme
Sulmin ndaj dermatologut në Spitalin e Tetovës e dënon edhe Sindikata e Qendrës Klinike, duke reaguar se mantel bardhët çdo ditë janë të ekspozuar ndaj sulmeve fizike dhe verbale. Sipas tyre, duhet të bëhen ndryshimet ligjore për t’i mbrojtur të punësuarit në sektorin e shëndetësisë.
Ky sulm i egër dhe brutal në prani të autoriteteve të rendit tregon që përkundër të gjitha thirrjeve deklarative dhe Marrëveshjeve të nënshkruara e të shprehura në të kaluarën për të parandaluar që incidente të tilla të izolohen, ato vazhdojnë dhe po rriten në intensitet të lartë. “- u shprehën nga Sindikata e Qendrës Klinike
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk do të lejojnë sulmet fizike ndaj personelit mjekësorë, të cilët çdo ditë shpëtojnë jetë njerëzish nëpër spitale. Ministri Venko Filipçe i tha Alsatit se do të angazhohet personalisht për të bërë ndryshimet ligjore me qëllim të mbrojtjes së mjekëve. Në kumtesën e lëshuar sot nga kjo ministri citojnë nenin 304 të Ligjit për mbrojtje shëndetësore. “Ai që do të sulmoj fizikisht apo do t’i kanoset personelit mjekësorë në vendin e punës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore do të dënohet me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Rasti i sulmuit fizik ndaj mjekut ka ndodhur dje rreth orës 9.30 në Repartin e Dermatologjisë në Klinikën e Tetovës. Të dyshuarit kanë kërkuar nga Emrullai t’i japë deklaratë me shkrim se një koleg i tij nuk ka qenë në vendin e punës pavarësisht se ka pasur termin për kontroll. Por Emrullai ka refuzuar një gjë të tillë pasi kolegu i tij ka qenë në kolegjium. Si pasojë e goditjeve të marra mjeku ka humbur vetëdijen dhe është dërguar për trajtim në Klinikën e Shkupit. Në spitalin klinik të Tetovës, ky është rasti i tretë i sulmit ndaj mjekëve brenda vitit.
Adnan Qaili
Loading…



