Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, në një pres-konferencë të zhvilluar sot theksoi se aktualisht 116 pacientë po mjekohen jashtë vendit në 14 shtete. Sipas tij, pacientët janë shpërndarë në mënyrë të tillë: 31 në Serbi, 15 në Bullgari, 12 në Turqi, 12 në Greqi, 7 në Spanjë, 6 në Austri, 6 në Hungari, 5 në Rumani, 4 në Belgjikë, 4 në Slloveni, 4 në Lituani, 4 në Kroaci, 4 në Suedi dhe 2 në Poloni.
Mucunski shtoi se për të parandaluar çdo mundësi manipulimi, mjekimi i pacientëve jashtë vendit mbulohet nga shtetet nikoqire, ndërkohë që shpenzimet për udhëtim, akomodim dhe transport, si dhe nevojat e tjera, do të mbulohen nga Qeveria.
“Paraprakisht, kemi rezervuar hotele dhe blerë bileta avioni. Po ashtu, kemi informuar qytetarët që do të mbulojmë shpenzimet për telefon, ofrojmë mëditje ditore dhe të gjitha shpenzimet e tjera të nevojshme. Pothuajse të gjithë qytetarët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me ambasadat tona, që sigurojnë mbështetje logjistike, përkthime dhe komunikim me spitalet. Nuk është e keqe që qytetarët të ofrojnë ndihmë, por duhet të dinë se shteti është përgjegjës për mbulimin e çdo shpenzimi. Po ashtu, të gjitha shpenzimet për kthimin e pacientëve do të mbulohen nga shteti”, theksoi Mucunski.
Sipas tij, pas këtij pres-konference, Ministria e Jashtme do të organizojë një takim koordinativ ku do të hartohet një plan për kthimin e pacientëve në atdhe.
Nga donacionet e qytetarëve, kompanive, komunave dhe institucioneve, deri tani janë mbledhur më shumë se 51 milion denarë, që përkthehen në rreth 800.000 euro, të cilat janë depozituar në llogarinë solidare të Kryqit të Kuq.
Për më tepër, një vendim i Kryqit të Kuq dhe Qeverisë ka shpallur pagesën e parë të ndihmës financiare prej 150.000 denarë për çdo familje të prekur nga tragjedia. Kjo do të jetë vetëm ndihma e parë dhe nuk do të jetë ndihma e vetme që ato do të marrin.