Qytetarët sikur po e kujtojnë periudhën e viteve 2015-2016, kur filluan të publikohen të ashtuquajturat bomba, kur kishte përplasje të ashpra mes liderëve të atëhershëm Zaevit dhe Gruevskit. E këto akuza këto ditë janë rikthyer sërish në skenë, pikërisht të këtyre dy ish kryeministrave. Përveç mjegullave dhe ndotja e enorme ditëve të fundit, mjegull në opinion është krijuar lidhur me atë se kush po i udhëheq proceset në Maqedoni, ish-liderët apo liderët aktualë?
“Gruevski dhe Zaev po kritikojnë njëri-tjetrin… sikur të ishim në vitin 2016, para zgjedhjeve? Ky është një nga komentet e shumta që u përhap në opinion, ku në qendër të vëmendjes ishin kritikat e ndërsjella të dy ish-liderëve dhe kryeministrave, ku akuzojnë njëri tjetrin përmes rrjeteve sociale për korrupsion e keqpërdorime. Ishin spekulime lajmet që qarkullonin në mediumet maqedonase se Zoran Zaev me të gjitha forcat po mundohej të minonte pozitat e pasuesit të tij Dimitar Kovaçevski dhe për atë mision kërkonte aleatë nga të gjitha anët, madje edhe në krye të VMRO-DPMNE-së. Sipas spekulimeve, Zaev i propozoi udhëheqësisë së LSDM-së një plan kthesë: mbajtjen e zgjedhjeve urgjente të parakohshme parlamentare, pas të cilave LSDM dhe VMRO-DPMNE do të ndajnë pushtetin bashkërisht për tetë vitet e ardhshme, Zaev duhet të jetë kandidat presidencial në vitin 2024 dhe shqiptarët në Qeverinë duhet të përfaqësohet nga partitë tjera, pra BDI të qëndrojë jashtë.
Ish-kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ditë më parë në Facebook i ka mohuar insinuatat të tilla për ri-angazhimin e tij të mundshëm, përkatësisht kthimin e sërishëm në skenën politike. “Unë nuk do të paraqes dhe as do të pranoj një kandidaturë për president të shtetit. Si kryetar i LSDM-së e kam bashkuar partinë. Dhe LSDM-ja e bashkuar bashkë me qytetarët rrëzuan një regjim, dhe pikërisht atëherë ai regjim ishte më i fortë dhe më i lirshëm. Nuk do të mendoj as që ta përça LSDM-në, as të bëj ndonjë puç në LSDM apo diçka të tillë. Dëshmi për këtë janë udhëheqja ime tetëvjeçare e gjysmë në parti, si dhe fitoret shtetërore dhe zgjedhore të fituara nga lidhja e bashkuar socialdemokrate së bashku me shoqërinë e fortë civile”, ka shkruar Zaev, duke theksuar se Qeveria maqedonase e udhëhequr nga LSDM nuk ndaloi së shkruari suksese historike.
Kundërshtarë të planeve të Qeverisë së LSDM-së gjithmonë ka pasur dhe Zaev i ka theksuar në reagimin e djeshëm. Në mesin e atyre që ishin kundër vetëm sepse në kohën e tyre nuk arritën ta bëjnë atë që kishte bërë qeveria e LSDM-së për katër vite, Zaev vuri në dukje ish-kryeministrin dhe të arratisurin nga drejtësia, Nikolla Gruevski, por edhe të tjerë që për arsye të njëjta apo të ngjashme ata thjesht nuk donte që të ndodhnin sukseset maqedonase. Në fjalorin dhe argumentimin e Zaevit, sukseset e politikës së jashtme mbeten ende dominuese: anëtarësimi në NATO, ndërtimi i miqësisë me fqinjët, autoqefalia e fituar e KOM-it, Maqedonia e Veriut një nga tre vendet që themeluan nismën ekonomike “Ballkani i Hapur”, dhe fillimi i negociatat me BE-në.
Ndërsa tema që Zaev i jep më shumë rëndësi brenda vendit është zgjidhja e tensioneve dhe ndarjeve ndëretnike të brendshme dhe ndërtimi i kohezionit përmes konceptit që u duartrokit nga e gjithë bota demokratike – koncepti “Një shoqëri për të gjithë”.
Gruevski, i cili pasi shpëtoi nga drejtësia dhe mori azil politik në Hungari, komunikon në mënyrë aktive me opinionin maqedonas përmes Facebookut, si për të intensifikuar kritikat ndaj qeverisë pasi mori 7 për qind besim nga të anketuarit të cilët iu përgjigjën pyetjes – kur mendoni për njerëzit në jetën politike, cilin person në Maqedoninë e Veriut e shihni më mirë? Gruevski, me një “vlerësim” 1% më të lartë se ai i Mickoskit ose 2% përpara Kovaçevskit, ose 5% përpara Zaevit, tani po fokusohet në çështjet që ish-lideri i LSDM-së nuk i trajton fare: krimi dhe korrupsioni. Në reagimin e tij shkran se ka pritur që Zaev të prononcohet për krimet e Qeverisë nën udhëheqjen e tij, për rastet e shumta për të cilat ka shkruar në periudhën e fundit – OKTA, Ilovica, Kazandol, Feni, Qendra Klinike, aeroporti në Shtip, etj. Nuk i pranon si suksese ato që përmend Zaev. Gruevski e konsideron hyrjen në NATO “në këto kushte” tradhti dhe poshtërim për Maqedoninë, ndërsa për bashkëjetesën – publikisht pyeti nëse qytetarët janë të kënaqur me marrëdhëniet pozitive ndëretnike? “Cili është ndryshimi pozitiv mes kohës që drejtova qeverinë dhe sot që duhet të na gëzojë? A është platforma e Tiranës ndryshimi?”, pyeti Gruevski, duke rikthyer në skenë “platformën” që e kritikoi më së shumti para dhe pas zgjedhjeve të 2016-ës, kur nuk arriti të formonte qeverinë.
Këto përplasje të dy ish-kryeministrave, analisti politik Sinisha Pekevski i sheh vetëm si mjet për ti dhënë vetes rëndësi. Ai thotë se koha e të dyve ka kaluar, përkundër faktit që kanë pasur mundësi të bëjnë më shumë për qytetarët, por nuk kanë bërë aq. “Ish kryeministrat mund të bëjnë deklarata sa të duan, koha e tyre ka kaluar dhe kanë pasur mundësi dhe burime të ndryshojnë shumë gjëra dhe nuk e kanë bërë. Me deklaratat e tyre ata vetëm i japin vetes kuptim dhe rëndësi. Unë personalisht nuk shoh ndonjë rëndësi në këtë”, ka deklaruar Sinisha Pekevski, analist.
OPOZITA PARALAJMËRON MOCION MOSBESIMI NDAJ QEVERISË
Opozita në Maqedoninë e Veriut paralajmëron nismë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Nisma e VMRO DPMNE-së pason refuzimin e kërkesës së saj nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), e kryeministrit Kovaçevski për zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2023. VMRO DPMNE-ja nuk i ka numrat e nevojshëm prej 61 deputetëve për rrëzimin e Qeverisë, por kryetari i saj, Hristijan Mickoski, tha se ka sinjale se nisma e saj do të mbështetet edhe nga deputetë të partive në pushtet.
“Unë kam sinjale nga disa deputetë të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët vërtet mendojnë se kësaj Qeverie i ka ardhur fundi. Duhet të kemi një qeveri të zgjedhur nga populli, e cila do të jetë e aftë të përballet me sfidat, që po kalon vendi. Shpresoj se kësaj radhe nuk do t’i përdorin metodat nga e kaluara, për presion ndaj deputetëve pasi ata duhet t’i lënë të votojnë sipas bindjeve të tyre, të votojnë për mocionin e votëbesimit të kësaj qeverie dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, deklaroi Mickoski. Por, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, njëherë kryeministër i Maqedonisë së Veriut, tha se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë, pasi Qeveria, sipas tij, po funksionon me kapacitet të plotë për realizimin e programit të saj.
“Qeveria po funksionon me kapacitet të plotë që të përballet me të gjitha sfidat që ndodhen para shtetit, kështu që kemi prioritete të tjera dhe jo zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhje do të ketë në afatin e rregullt në vitin 2024. Sa i përket Grupit Parlamentar të partisë që drejtoj, nuk ka asnjë lëvizje nga qëndrimet e organeve drejtuese dhe janë spekulime pretendimet se ndonjëri nga deputetët tanë mund të votojë kundër kësaj qeverie”, tha Kovaçevski. (koha.mk)