Qeveria nga tetë procedurat aktive të arbitrazhit, me një qasje të përgjegjshme dhe efikase me sukses ka përfunduar tre në favor të Maqedonisë me çka është bërë kursim në buxhet prej 516 milionë euro, informoi sot zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva.
Përveç kontestit të arbitrazhit të fituar me disa nga investitorët nga miniera “Kazandoll” në Vallandovë me çka janë kursyer 115 milionë euro gjë për të cilën informoi dje qeveria, Miteva në konferencën për shtyp tha se janë fituar edhe procedurat “Sasa” me vlerë 445 milionë dhe procedurat “Gama” kundër Maqedonisë me vlerë mbi pesë milionë euro.
“Kur jemi te akuzat e rrejshme nga LSDM se kjo procedurë arbitrazhi është fituar dhe përfunduar kur ata kanë qenë në Qeveri, atëherë presim përgjigje se pse në gjysmën e parë të prillit 2023 në Vjenë u zhvilluan negociata për një zgjidhje të mundshme për ‘Kazandollin’, midis përfaqësuesve të Qeverisë dhe paditësve, gjë që konfirmohet nga fakti se kjo Qeveri ka miratuar një vendim me të cilin refuzohet zgjidhja e propozuar”, ka thënë Miteva.
Përveç tetë procedurave të trashëguara të arbitrazhit, tre prej të cilave janë investime dhe pesë konteste tregtare, Miteva theksoi se Qeveria ka trashëguar edhe një paralajmërim për padi për të paktën katër të tjera, ndërsa dëmi total i mundshëm arrin 865 milionë euro.
“Këto të dhëna flasin për qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë së kaluar e cila me veprimet e saj solli në rrezik buxhetin e shtetit dhe reputacionin ndërkombëtar”, ka thënë Miteva.