Rasti i kryetarit të komunës së Strugës nga BDI-ja Ramiz Merko dhe futja në listën e zezë të SHBA-ve në fakt tregon se janë majat e pushtetit që stimulojnë dhe përkrahin krimin dhe korrupsionin, në vend që të luftojnë kundër tij.
Këtë e theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova në një tribunë të kësaj partie për korrupsionin dhe krimin.
“Dhe ajo që mund të themi me siguri është se rasti Merko na tregoi se si vërtet sundojnë LSDM-ja dhe BDI-ja, dhe sot të jesh kriminel në Maqedoni është ndoshta gjëja më e lehtë që mund të bëhet, sepse është pikërisht kreu i qeverisë që stimulon dhe përkrah krimin dhe korrupsionin, në vend që të luftojë kundër tij”, tha Panova.
Ajo shtoi se organet gjyqësore maqedonase duhet të fillojnë të funksionojnë dhe të veprojnë pa përdorur standarde të dyfishta dhe të gjithë personat për të cilët ekzistojnë dyshime elementare për vepra penale dhe korrupsioni të dalin para drejtësisë.
Panova u shpreh e bindur se nëse Merko do ti përkiste ndonjë partie tjetër politike apo VMRO-DPMNE-së, ndoshta deri tani do të ishte në paraburgim. (INA)