Mirëpritet në Ulqin programi fetaro-kulturor me rastin e muajit të Muhamedit, a.s., dhe të ribotimit të Mevludit të H. Ali Ulqinakut

Mirëpritet në Ulqin programi fetaro-kulturor me rastin e muajit të Muhamedit, a.s., dhe të ribotimit të Mevludit të H. Ali Ulqinakut

Programi fetaro-kulturor “Mirë se erdhe mëshira e mbarë botës” u mbajt mbrëmjen e së hënës në Ulqin, si një bashkëpunim midis Bashkësisë Islame në Malin e Zi, Mexhlisit të Bashkësisë Islame Ulqin dhe Fondacionit ALSAR.

Muaji i Profetit Muhamed, a.s., dhe ribotimi i veprës “Meuludi Sherif” të Hafiz Ali Ulqinakut nga Fondacioni ALSAR e nxitën organizimin e këtij programi fetaro-kulturor.

Programin e nderoi me praninë e tij atasheu për fenë pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Mal të Zi, z. Kadir Kaynar.

Dr. Hakan Kutlu, nga Universiteti “Fatih Sulltan Mehmed” i Stambollit, këndoi Kur’an në hapje të programit, për t’u lënë vendin më pas fjalëve përshëndetëse.

I pari përshëndeti kryeimami i Ulqinit, Ali ef. Bardhi, ndjekur nga kryeimami i Tivarit, Muhidin ef. Milaimi.

Fjalë përshëndetëse mbajti po ashtu z. Mehdi Gurra, kryetari i Fondacionit ALSAR.

Ligjëratat u mbajtën nga z. Sadush Tahiri, imam dhe ligjërues prej Shkupit, dhe prof. dr. Hamdi Arslan, nga Universiteti “Fatih Sulltan Mehmed” i Stambollit. Ky i fundit bëri dhe duatë në mbarim të programit.

Mevlud në shqip këndoi z. Besim ef. Cura, imam i Xhamisë së Detarëve. Dr. Hakan Kutlu këndoi mevlud në gjuhën turke.

Programi pati pjesëmarrje të kënaqshme, ndjekur me kërshëri nga të pranishmit në sallë.