Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të pranuar përkohësisht 50 emigrantë që janë larguar nga SHBA-ja.
Kjo në kuadër të një strategjie amerikane për kthimin e të huajve pa status të rregulluar.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ka shprehur mirënjohje për Kosovën si partnere, duke vlerësuar bashkëpunimin në këtë proces.
“Ne jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga SHBA-ja dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, ka thënë DASH-i për CBSNews.
Vendimi për pranimin e këtyre emigrantëve u miratua nga Qeveria e Kosovës të mërkurën, dhe sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ata do të strehohen në Kosovë për një periudhë deri në një vit, derisa të bëhet e mundur kthimi i tyre në vendlindje.
Lajmi u konfirmua me një komunikatë për media.
“Miratuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për pesëdhjetë (50) persona, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Personat subjekt të këtij Vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhej në njoftim.
Në një deklaratë për CBS News, ambasada e Kosovës në SHBA konfirmoi marrëveshjen për dëbimin.
“Në përgjigje të kërkesës së Shteteve të Bashkuara për pranimin dhe riatdhesimin e shtetasve të vendeve të treta, kemi shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, sipas kushteve të përcaktuara,” thuhet në deklaratën e ambasadës.
Ambasada sqaroi se marrëveshja do të lejojë që 50 persona të dëbuar nga vende të tjera të “strehohen përkohësisht” në Kosovë, ndërsa autoritetet kosovare do të punojnë për të mundësuar “kthimin e sigurt në vendet e tyre të origjinës”.
Nuk është ende e qartë se kush konkretisht do të dërgohet nga SHBA në Kosovë dhe cilat janë vendet e tyre të origjinës.
Zakonisht, SHBA përdor marrëveshje të tilla me vende të treta për të dëbuar migrantë që nuk mund të kthehen në vendet e tyre për shkak të refuzimit të shteteve të origjinës apo për shkak të marrëdhënieve të tensionuara diplomatike.