Me 16 vota pro prej gjithsej 31, këshilltarët e Komunës së Tetovës e miratuan buxhetin e komunës për vitin e ardhshëm.
“Buxheti është me vlerë prej rreth 1,9 miliardë denarësh apo 30 milionë euro dhe ka komponentë zhvillimorë me projekte të mëdha infrastrukturore si përfundimin e bulevardeve “Video Smilevski Bato” dhe “Ilindenska” në daljen drejt Gostivarit me ç’rast është marrë edhe kredi nga Banka Botërore prej 2,2 milionë eurosh”, theksoi kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi.
Ajo e theksoi mbështetjen prej numrit të madh të grupeve të këshilltarëve për votimin e buxhetit.
“Këshilltarët treguan se interesat kolektive janë jashtë politikës ditore, pasi që buxheti komunal është instrumenti kryesor për projeksion dhe realizimin e programeve dhe projekteve me interes të qytetarëve. Ju bëj thirrje kolegëve të mi kryetarëve të komunave, bashkëpartiakëve dhe këshilltarëve kudo në komunat ku ka problem të ngjashëm për ta ndjekur shembullin e sotëm të Këshillit të Komunës së Tetovës për çështjen e buxhetit, ndërsa më pas ne do të vazhdojmë të veprojmë si
personalitete politike”, tha Arifi.
Theksoi se seanca ka treguar se ekziston shumicë stabile dhe këshilltarë të cilët do të punojnë dhe do ta japin kontributin e tyre për realizimin e projekteve në interes të të gjithëve në komunë. Seancën e sotme të dytë të këshillit të Komunës së Tetovës e udhëhoqi këshilltarja e dytë më e vjetërXhulshen Nuhi nga Partia Demokratike e Turqve pasi nga administrata komunale njoftuan se këshilltari i PDSH-së, Adnan Bilali nuk do të marrë pjesë në seancë.
Para miratimit të rendit të ditës pesë këshilltarë të VMRO-DPMNE-së e braktisën seancën përsëri në shenjë proteste për arrestimin e një pjese të pjesëmarrësve në ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.