LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë akoma dallime rreth ligjeve reformuese. Peng i dallimeve mbetet Ligji mbi Prokurorinë Publike. Opozita kërkon që kryeprokurori të jetë propozim i opozitës dhe të votohet me 2/3 e votave. Shumica parlamentare nuk konkretizion qëndrimin por siguron se edhe ky dallim do të tejkalohet.
Në programin tonë zgjedhor kemi të parapara mekanizma për forcimin e pavarësisë së Prokurorisë Publike. Gjithsesi se janë duke u krijuar kushte për proces të bisedimeve dhe diskutimeve në këtë çështje. Kuvendi nuk është forumi i vetëm për debat mes partive politike. Po bëjmë konsultime të zgjeruara dhe debat me sektorin publik dhe organizatat qytetare me qëllim që të arrihet zgjidhja më e mirë në të cilën do të besojnë qytetarët. Në pjesën me të madhe është plotësuar agjenda e gjashtë grupeve të punës dhe kemi arritur pajtueshmëri në 98 për qind të çështjeve – deklaroi Frosina Remenska, deputete e LSDM-së.
Dallime ekzistojnë edhe në Ligjin për procedurë penale, megjithatë këtu pengesë përbën Ligji për përdorimin e gjuhëve i cili kryqëzohet me atë paraprak. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev, në një takim me gazetarët theksoi se opozita nuk do ta ndryshojë qëndrimin ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke paralajmëruar këtu mundësinë që mos ta mbështesin as Ligjin për procedurë penale. Danev nuk precizoi nëse edhe për Ligjin e procedurës penale, opozita mund të propozojë mijëra amendamente. Gjatë vikendit pritet të harmonizohen qëndrimet rreth Ligjit për policinë dhe Punë të Brendshme, ndërsa votimi i tyre të vije në rend dite nga e hëna. Nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e ligjeve si Kodi Zgjedhor dhe ai për KSHZ-në të mbeten për miratim pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian. Opozita dhe mazhoranca deklarohen të sigurt se zgjedhjet e ardhshme Presidenciale dhe mundësisht ato të parakohshme Parlamentare të mbahen mbi bazën e ndryshimeve ligjore në Ligjin për KSHZ dhe Kodit Zgjedhor.
Adrian Kerimi

