Ministria e Financave po punon për përgatitjen e rishikimit të buxhetit. Numri një i kësaj ministrie, Dragan Tevdovski, tha se janë duke zhvilluar bisedime me të gjitha ministritë për të shqyrtuar se ku duhet të ketë shkurtime të buxhetit. Megjithatë, siç theksoi ai, po bëjnë përpjekje që të shkurtojnë nga ajo që nënkupton komoditet i personave në pushtet, sepse aty ka shumë hapësirë.
“Punojmë në mënyrë aktive çdo ditë në rishikimin e buxhetit, unë kam folur se si është gjendja e buxhetit. Më vjen mirë që ka ekspertë në Ministrinë e Financave të cilët punojnë çdo ditë shumë orë në këtë rishikim të buxhetit. Do të bëjmë gjithçka që është nën kompetencat tona të fitojmë një buxhet i cili do të jetë pragmatik, duke pasur parasysh edhe detyrimet të cilat janë depozituar dhe njëkohësisht t’i japim mundësi reformave tona prioritare”, ka thënë Tevdovski.
Tevdovski para fillimit të konferencës për media për ndarjen e fondeve IPA, deklaroi po ashtu se akoma nuk kanë vlerësuar nëse duhet merret një vendim i tillë dhe se vendimi që do të merret do të jetë në interes të qytetarëve.
Nga ana tjetër, euromabasadori Samuel Zhbogar, i cili po ashtu mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve për grante, tha se një numër i madh i komunave po përfitojnë nga këto grante. Sipas tij, ky projekt është një ilustrim i mirë i impaktit pozitiv të granteve.
“Qeverisja e mirë është çelësi për të marrë rezultate të duhura. Për këtë arsye, kam kënaqësi të marrë pjesë sot në ngjarje që promovon asistencën e BE-së për zonat rurale”, ka thënë Zhbogar.
Me kërkesë të Qeverisë, Bashkimi Evropian ka ofruar 15.5 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës rurale në vend.
Teuta Buçi /