Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe përfaqësuesi rajonal i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC-së), Thomas Lubeck, nënshkruan memorandum-bashkëpunimi.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se ky memorandum ka për synim t’iu dalë në ndihmë subjekteve të biznesit për t’iu shmangur falimentimit, si dhe ruajtjen e vendeve të punës.
“Sot kishim mundësi që të nënshkruajmë memorandum-bashkëpunimi sa i përket ligjit të ri për falimentim, ku parashihet që me këtë ligj, me ndihmën e IFC-së dhe ekspertëve që do të jenë të involvuar në këtë projekt, pra t’iu japim një mundësi shtesë kompanive që do të jenë në vështirësi të negociojnë me kreditorët e ndryshëm që paraprakisht dhe në mënyrë fleksibile të gjejnë një zgjidhje para se ato të shpallin falimentimin e tyre”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Qëllimi i këtij projekti është që të përmirësohet Ligji për falimentim, i cili do të inkurajojë bankat të kreditojnë më shumë në sektorin real. Ata duhet të inkurajohen përmes ndryshimit të këtyre rregullativave, pasi në fund të fundit bankat më së paku e duan likuidimin e subjekteve afariste”,- u shpreh menaxheri rajonal i IFC-së, Thomas Lubeck.
Projekti, i cili do të implementohet në bashkëpunim edhe me Sekretariatin për Çështje Ekonomike të Zvicrës, pritet të rrisë efikasitetin dhe konkurrueshmërinë në treg, ndërsa përmes kësaj ndihme më shumë do të përfitojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. (Tvm2)