Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht gjuhën shqipe. Inspektori Fitim Ramadani gjatë intervistës në Alsat tha se Ministria e Financave nuk bashkëpunon aspak me inspektoratin, veprim që i pamundëson inspektorëve të hyjnë për kontroll dhe të konstatojnë nivelin e zbatimit të gjuhës shqipe.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (10:00….)
“Këtu dua të theksoj vetëm Ministrinë e Financave. Gjatë mbikëqyrjes kontrolluese në Ministrinë e Financave nuk ka qenë raporti institucion-inspektor. Dhe neve nuk na është mundësuar qasja në dokumentacionin e ministrisë. Për këtë arsye për Financat ka procedurë kundërvajtëse, jo për mos zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por për mosbashkëpunim me inspektorët”.
Gjuha shqipe nuk respektohet as nga Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Sipas Ramadanit, mbi bazën e denoncimeve që kanë bërë gazetarët për deklaratat e Minçevit, ka procedurë kundër tij, ndërsa kontrolli planifikohet gjatë vitit 2026. Dyshohet se Minçev nuk zbaton gjuhën shqipe në asnjë akt nënligjor.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (13:05….)
“Iniciativa ka qenë për deklaratat në opinion që i jep ministri. Mendoj se edhe iniciativa ka qenë nga gazetarët, kanë qenë vetëm në gjuhën maqedonase. Ne kemi konstatuar se ato nuk janë në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe lënda është në Gjykatën kompetente në Shkup”.
Aktualisht 53 lëndë të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve ndodhen në Gjykatën Penale në Shkup. Të gjitha i referohen institucioneve dhe udhëheqësve të institucioneve që nuk kanë respektuar dhe zbatuar gjuhën shqipe në përputhje me ligjin. Së fundi Inspektorati adresoi vërejtje ndaj ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov mbi mos zbatimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Brenda 30 ditësh, Fillkov obligohet t’i harmonizojë dispozitat ligjore. Nëse nuk harmonizohet ligji brenda afatit, Ministria e Drejtësisë është e detyruar të zbatojë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. /Alsat.mk


