Partitë politike janë ftuar që, më së voni deri të premten, përmes rrugës elektronike, të shprehen lidhur me tekstet e dorëzuara, me qëllim finalizimin e projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor dhe dorëzimin e tij në kohë, njoftoi dje Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk.
Ky ishte përfundimi i mbledhjes së njëmbëdhjetë të Grupit të Punës për reformat në legjislacionin zgjedhor, ku u shqyrtuan çështjet e mbetura të hapura dhe propozimet për ndryshime dhe plotësime të Kodit Zgjedhor, në funksion të zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, anëtarët e Grupit të Punës shkëmbyen qëndrime për propozimet e paraqitura nga partitë politike, ndërsa u konstatua se një pjesë e konsiderueshme e zgjidhjeve tashmë janë harmonizuar dhe kanë arritur një shkallë të lartë konsensusi.
Në përputhje me përfundimet e mbledhjes, Ministria e Drejtësisë do të përgatisë dhe do t’i dorëzojë dispozitat e propozuara që burojnë nga zgjidhjet e harmonizuara, ndërsa partitë politike pritet të japin vërejtjet dhe qëndrimet e tyre deri të premten, në mënyrë që projektligji të finalizohet dhe të procedohet në afatin e paraparë.
Kujtojmë se përfaqësuesit e LSDM-së në grupin punues për ndryshimin e Kodit Zgjedhor më 29.03.2026 nuk u paraqitën në takimin e katërt të këtij organi që udhëheq procesin e përgatitjes së ndryshimeve në kuadër të MD-së. Kështu, LSDM-ja në një farë mënyre shprehu dhe realizoi protestën sepse shumica e qeverisë votoi në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Qeverinë teknike, me të cilat e ashtuquajtura “Qeveri e Przhinës” e prezantuar për zgjedhjet e vitit 2016 nuk do të ekzistojë më pas zgjedhjeve të ardhshme, si një lloj zgjidhjeje kalimtare për të dalë nga kriza e atëhershme politike.
Edhe pse ky veprim i LSDM-së u njoftua nga kryetari i partisë Venko Filipçe më 28.04.2026 dhe megjithëse reagimet fillestare nga përfaqësuesit e partive të tjera ishin se trupi punues duhet të vazhdojë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ende nuk është e qartë nëse ky vendim i LSDM-së është i një natyre të përhershme dhe afatgjatë. Por sidoqoftë, fakt është se grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë aktualisht funksionon dhe mund të vazhdojë të funksionojë pa përfaqësuesit e LSDM-së.
Në një kontekst të tillë, pjesëmarrja e përfaqësuesve të OJQ-ve në grupin e punës në të gjitha takimet e tyre dhe njohja me të gjitha ndryshimet e konceptuara dhe të propozuara të Kodit Zgjedhor brenda grupit punues, fiton edhe më shumë rëndësi. Sepse në këtë mënyrë sektori civil do të jetë një lloj kontrolluesi i të gjithë procesit dhe do të jetë në gjendje të marrë pjesë aktive dhe vazhdimisht me propozimet e tyre.
Përndryshe, Kodi Zgjedhor është një nga reformat e parapara me Agjendën e Reformave që Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë deri në fund të qershorit. Kodi është një nga 10 reformat që ndodhen në të ashtuquajturën “grejs periudhë”, një afat shtesë deri në 12 muajsh, që përfundon në fund të muajit.


