Vazhdon edhe sot të heshtë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, lidhur me gjendjen dhe kushtet në të cilat mësojnë nxënësit e shkollës fillore të Haraçinës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Edhe pas tentimeve të shumta, as sot nuk arritëm të marrim një prononcim nga kjo ministri, për të na sqaruar se a janë ato në dijeni se në çfarë hapësire zhvillojnë mësimin nxënësit në shkollën e Haraçinës.
Kjo shkollë numëron rreth 1 mijë nxënës, ndërsa ata janë të detyruar që orët mësimore t’i mbajnë në kushte mesjetare. Klasë pa dysheme, lagështi, karrige e tavolina të thyera, toalete të shkatërruara në të cilat kundërmon erë e keqe, janë këto pamjet e kësaj shkolle që arriti t’i kapë kamera e Televizionit SHENJA. Është për t’u brengosur fakti se si duket një institucion, në të cilin zhvillohet një nga aktivitet më thelbësore të jetës, siç është arsimi dhe gjithashtu duke pasur parasysh që në atë ambient, fëmijët kalojnë një pjesë të madhë të ditës.
Ndërkaq, TV SHENJA kërkoi prononcim edhe nga drejtori i shkollës. Por, Rexhep Bajrami tha se nuk dëshiron të prononcohet, duke u shprehur i hidhëruar pse i kemi filmuar këto pamje, madje edhe duke na kërcënuar me padi, pse e paraqesim gjendjen reale të objektit të shkollës.
Emine Ismaili /SHENJA/

