Ministria e arsimit dhe shkencës nuk përjashton mundësinë që pushimi dimëror të fillojë më herët për shkak të ajrit të ndotur.
“Nëse paraqitet nevoja, do të mendojmë për fillim parakohe të pushimit dimëror. Megjithatë ditët do të plotësohen pas 10 qershorit, ose nxënësit të vijnë në shkollë për vikende”, thonë nga Ministria e Arsimit.
“Fëmijët urgjentisht të lëshohen në pushim. Fëmijët e vegjël të mos shkojnë në çerdhe!”, kërkon Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi” në Shkup.
”Duke pasur parasysh ndotjen enorme të ajrit dhe ndikimin e saj katastrofal ndaj shëndetit, kërkojmë nga pushteti lokal dhe qendror urgjentisht fëmijët të lëshohen në pushim, kurse çerdhet dhe të gjitha entet ku qëndrojnë fëmijët të mbyllen deri sa koncentrimi i grimcave PM 10 dhe PM 2.5 nuk ulet në kufijtë e normale dhe deri sa organet kompetente nuk marrin masa konkrete dhe adekuate për mbrojtje. Në të kundërtën do t’i bashkangjitemi bojkotit të paralajmëruar nga ana e prindërve, i paralajmëruar për 20 dhjetor 2017”, thuhet në kërkesën e “Megjashi”, drejtuar deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë, Ministria e
arsimit dhe shkencës, Ministria për punë dhe politikë sociale, qendra për menaxhim të krizave, shkruan Gazeta Lajm.
Aty apelohet që të ndërpritet tendenca që lufta për të drejtën e ajrit të pastër të trajtohet si përballje politike dhe partiake, duke theksuar se kjo është çështje mbipolitike dhe mbipartiake.