Ministri i Tregtisë së Türkiyes, Ömer Bolat vlerësoi takimin e tij me ministren e Financave të Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrieska Koçovska, duke thënë se gjatë takimit ranë dakord të bashkojnë delegacionet teknike për bashkëpunimin, lehtësimin e tregtisë dhe ndarjen e të dhënave për analizën e riskut, transmeton Anadolu.
Ministri Bolat në postimin e tij në llogarinë e tij në rrjetet sociale njoftoi se në Ministrinë e Tregtisë kanë zhvilluar një takim ndërmjet delegacioneve me ministren Koçovska.
Ai theksoi se ranë dakord të rrisin vëllimin e tregtisë dypalëshe. “Gjatë takimit ne ramë dakord të bashkojmë delegacionet teknike mbi bashkëpunimin, lehtësimin e tregtisë dhe ndarjen e të dhënave për analizën e riskut si dhe bëmë deklaratë të re të përbashkët qëllimi mbi bashkëpunimin teknik, zonat e lira dhe tregtinë e ushqimit hallall”, tha Bolat.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut është një nga partnerët e rëndësishëm të Türkiyes në Ballkan.
“Ashtu si në çdo fushë, ne i kushtojmë rëndësi të madhe forcimit të lidhjeve tona me Maqedoninë e Veriut në fushat ekonomike dhe tregtare. Uroj që takimi ynë në këtë kontekst të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe partneriteteve midis botëve tona të biznesit”, tha Bolat.