Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaë Kosiniak-Kamysz, ka deklaruar se “nuk ka NATO pa SHBA”, pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, që sugjerojnë se Washingtoni mund të rishqyrtojë rolin në aleancë, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për The Telegraph të publikuar të mërkurën, Trump e përshkroi NATO-n si një “tigër prej letre” dhe kritikoi aleatët evropianë për përfshirjen e tyre të kufizuar në konfliktin në Lindjen e Mesme. Kur u pyet nëse SHBA-ja mund të rishqyrtojnë anëtarësimin e tyre, ai tha se kjo ishte “përtej rishqyrtimit”.
Duke reaguar ndaj komenteve, Kosiniak-Kamysz tha se ato pasqyrojnë “momentin e vështirë në të cilin ndodhet bota sot” dhe shprehu shpresën se tensionet do të zbuten.
“Nuk ka NATO pa SHBA-në dhe është në interesin tonë që të mbizotërojë qetësia. Por gjithashtu nuk ka fuqi të SHBA-së pa NATO-n”, tha ai.
Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë për mungesë angazhimi më aktiv në Lindjen e Mesme, përfshirë refuzimin për të dërguar anije luftarake për të ndihmuar në rihapjen e rrugëve detare përmes Ngushticës së Hormuzit dhe kufizimin e qasjes së SHBA-së në bazat rajonale.
Megjithatë, shumica e anëtarëve të NATO-s janë distancuar nga konflikti dhe kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve, duke theksuar natyrën mbrojtëse të aleancës dhe duke ngritur shqetësime për ligjshmërinë e sulmeve SHBA-Izrael ndaj Teheranit.
Sipas TVP World, Kosiniak-Kamysz tha se ruajtja e lidhjeve të forta me Washingtonin mbetet thelbësore për sigurinë e Polonisë.
“Duhet gjithashtu të përballojmë tensionet emocionale që vijnë me fjalë që një ditë janë një mënyrë dhe ditën tjetër mund të jenë ndryshe”, tha ai.
Ai shtoi se forcimi i kapaciteteve ushtarake të vetë Polonisë është kyç për forcimin e aleancës.
“Askush nuk do të na mbrojë nëse nuk mund të mbrojmë veten”, tha ai.
Polonia aktualisht shpenzon gati 5 për qind të produktit të saj të brendshëm bruto për mbrojtjen, niveli më i lartë ndër vendet e NATO-s dhe shumë mbi objektivin prej 2,5 për qind të aleancës.
Ministri gjithashtu tha se Polonia nuk do të dërgojë sistemet e saj të mbrojtjes ajrore Patriot në Lindjen e Mesme, pas raportimeve se Washingtoni ka kërkuar vendosjen e tyre në konfliktin e tij me Iranin.
Që nga rikthimi në detyrë në vitin 2025, Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s për shpenzimet në mbrojtje dhe ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e aleancës, duke shkaktuar shqetësim mes partnerëve evropianë.


