“Më në fund u realizua punësimi i përhershëm për 1117 persona të angazhuar në shëndetin publik, mjekë specialistë dhe staf tjetër mjekësor”.
Kështu ka bërë të ditur sot ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Financave, Fatmir Besimi.
” Investimi në punonjësit e shëndetësisë është një nga segmentet më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetit publik. Çelësi i krijimit të politikave shëndetësore është zgjidhja e statusit të mjekëve, teknikëve, personelit mjekësor dhe jomjekësor me punësim të përhershëm. Sot po vendosim statusin e 1117 të punësuarve si personel mjekësor, personel teknik ndihmës, higjienistëve dhe shoferëve, me vendim të Qeverisë që hapet mundësia e punësimit me afat të pacaktuar në institucionet shëndetësore publike. Mjetet për punësim të përhershëm të aprovuar sigurohen në kuadër të institucioneve publike shëndetësore dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, tha Mexhiti.
Ai bëri të ditur se në periudhën e ardhshme do të avokojë për investime në zhvillimin e kapitalit njerëzor në institucionet publike shëndetësore.
Mexhiti shtoi se investimi në punëtorët shëndetësorë është një nga segmentet më të rëndësishme për të ardhmen në shëndetesinë publik.
“Vendimi i Qeverisë hap mundësinë e punësimit me kohë të pacaktuar në institucionet shëndetësore publike. Në periudhën e kaluar, edhe në kohë krize, investimet në shëndetësi kanë qenë të mëdha. Ne investojmë jo vetëm në pajisje dhe infrastrukturë, ne investojmë edhe në staf, rritjen e pagave, shtesat për punonjësit e shëndetësisë. Me investime të tilla serioze në shëndetin publik, ne ndihmojmë në ngritjen e cilësisë së shërbimit, lehtësimin e qasjes në shërbimet shëndetësore dhe përpiqemi që pacientëve tanë t’u ofrojmë shëndetësi evropiane”, tha ministri Mexhiti, i cili shtoi se investimet në shëndetësi do të vazhdojnë.