Ministri i Mbrojtjes së Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoni, dhe do të ketë takim me ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, kumtoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Bëhet fjalë për vizitë të parë zyrtare të funksionarit të lartë të Bullgarisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë më 1 gusht të këtij viti në Shkup. Karakaçanov edhe atëherë ishte pjesë e delegacionit të udhëhequr nga kryeministri bullgar, Bojko Borisov. Ai atëherë deklaroi se Bullgaria do t’i ndihmojë Maqedonisë në rrugën drejt NATO-s.
Pritja e delegacionit bullgar është e paraparë të bëhet në ora 09:00 përpara Ministrisë së Mbrojtjes. Gjysmë ore më vonë është caktuar takim mes delegacioneve të të dy vendeve, ndërkaq në ora 10:30, Shekerinska dhe Karakaçanov do të japin deklaratë për mediat.
Ministri bullgar do ta vizitojë kazermën “Ilindne” në Shkup ku njësiti për operacione speciale do të kryej ushtrime.
Ndryshe, Karakaçanov është lider i kamotshëm i partisë bullgare VMRO-BND, e cila është e njohur për nacionalizëm ndaj Maqedonisë.

