Ministri i kulturës, Hysni Ismaili, sot në Rjekë morri pjesë dhe mbajti fjalim në mbledhjen e Këshillit të ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore, ku kryesues këtë vit është Republika e Kroacisë.
Në fillim të fjalimit të tij, ministri Ismaili shprehu falënderim deri te ministrja Kroate e kulturës Korzhenek për organizimin e mirë të mbledhjes së gjashtë të Këshillit të Ministrave të Evropës Jug-lindore.
Njëkohësisht i dëshiroi sukses Qeverisë së Republikës së Kroacisë për agjendën e parashikuar në kuadër të kryesisë së saj të Këshillit të BE dhe shprehu falënderim për mbështetjen që jep Republika e Kroacisë vendit tonë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin drejt BE.
Ministri Ismaili, në fjalimin e tij para të pranishmëve, theksoi edhe rëndësinë e politikave dhe instrumenteve të partnerëve të platformës rajonale për mbajtjen e dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv në frymën e respektit të ndërsjellë të diversitetit dhe tolerancës, me qëllim ndërtimin e shoqërive bashkëkohore, demokratike dhe të qëndrueshme.
,,Me qëllim të realizohen prioritetet e platformës rajonale, ne si Ministri e Kulturës duhet të mundësojmë pjesëmarrje aktive të gjithë aktorëve kulturor në realizimin e politikave tona. Lëvizshmëria e artistëve dhe profesionistëve, përfshirja e tyre në projekte të koproduksionit me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, paraqet pjesë vitale në procesin e profilimit dhe zhvillim të kontekstit rajonal kulturor”, tha ministri i kulturës.
Ai shtoi se fokusi i bashkëpunimit edhe në të ardhmen duhet të synon kah shkëmbimi i përvojave ndërmjet artistëve profesionist dhe artistët e të gjitha disiplinave në sektorin e kulturës, digjitalizimin dhe zbatimi i teknologjive të reja , mbrojtja e trashëgimisë kulturore, krijimi i mënyrave të reja të prezantimit dhe promovimit të tij, lufta kundër tregtisë së paligjshme me të mirat kulturore, mbrojtja e të drejtave autoriale, zhvillimi i industrive kreative dhe turizmit kulturor.
Në mbledhje u miratua dhe u nënshkrua deklarata ku janë të identifikuara, sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet sektori kulturor si dhe drejtimet për bashkëpunim të ardhshëm.
Me respekt,
Ministria e Kulturës