Ekrem Mustafa erdhi në krye të MPB-së atëherë kur në atë ministri u ndërruan paraprakisht dy ministra. Mustafa arriti që të gëzojë këtë post, pasi që Labinot Tahiri-Labi, insistoi që Qeveria Haradinaj të përfaqësohej me një ministër nga Ferizaj. Tash kur Labi ka lënë AKR-në për të dalë në AAK, Mustafa ka treguar për Express se a do të vazhdojë të qëndrojë në partinë e Behgjet Pacollit.
Gazeta Express
Pas lirimit të Bejtush Gashit nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, Labinot Tahiri, apo siç njihet në opinion si Labi, kishte bërë kërkesë në AKR-në e Behgjet Pacollit, që në atë pozitë të emërohej një person nga komuna e Ferizajt.
Labi arsyetohej se nuk është e pranueshme që komuna e tij të mos kishte asnjë përfaqësues në Qeverinë Haradinaj.
Më 15 tetor të vitit të kaluar, Pacolli ia miratoi këtë kërkesë Labit, derisa, atë ditë Haradinaj emëroi në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafën.
Por, Labi nuk i qëndroi deri në fund në krah Mustafës, pasi që nënkryetari i AKR-së, në Ferizaj, si duket ka mbetur në këtë parti pa atë që insistoi që ai të emërohej ministër.
Tash kur Labinot Tahiri ka bërë të ditur se rrugën e tij politike do ta vazhdoj në AAK, Ekrem Mustafa ka deklaruar për Gazetën Express se do të vazhdojë të qëndrojë në partinë e Behgjet Pacollit.
I njëjti tutje, ka deklaruar se nuk ka interes shumë që t’i hyjë garës për deputet në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Në AKR jam, nuk besoj se do të kandidoj për deputet sepse nuk kam interes për këtë çështje”, tha Mustafa.
I njejti ka treguar që deri më tani nuk ka diskutuar apo marrë ofertë nga dikush për ndërrim të partisë.
Mustafa që është nënkryetar i AKR-së, në Ferizaj, kishte qenë kandidat për deputet në vitin 2014, por, që nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.
Me të marrë pozitën, Express kishte raportuar se Mustafa kishte të ngritur një aktakuzë për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”.
I njejti ishte bërë jo pak herë lajm për shkrimet që i publikonte në Facebook, e që kishin jo pak por një mal me gabime drejtëshkrimore.
Sidoqoftë, për mjekun nga Ferizaj, që kishte aktakuza, kishte festuar vitin e kaluar Ferizaj./GazetaExpress/