Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka marrë pjesë në inspektimin e plazheve në prag të sezonit veror dhe turistik të këtij viti, në jug të Shqipërisë.
Ai shprehet se po bëhen gati për sezonin e ri turistik, teksa po vijohet edhe me projektet dhe punën për një ambient të rregullt dhe me standard higjiene.
“Nga inspektimi në Jalë e Dhërmi ku ka ende punë e sistemime për t’u kryer nga subjektet dhe entet vendore që të jemi gati për sezonin e plazhit dhe për një ambient sa më të rregullt estetikisht, por dhe të pastër e në standard higjene. Stacionet e plazhit, mjetet lundruese, molet dhe pontilet, plazhi publik i menaxhuar apo i lirë, strukturat akomoduese apo të shërbimit, së bashku me vrojtuesit dhe profesionistët e licensuar, janë në vëmendjen e organeve të inspektimit, AKB, bashki, forcat e rendit dhe kufirit”, shkruan ministri në rrjetin social, në një reagim të tij pas inspektimit.
Gonxhja vlerëson se teksa ndodhen në përmbyllje të procesit të aplikimeve për stacione plazhi dhe në përpunim të kontratave të reja të vitit 2026, po koordinohet edhe për pastrimin e vijës bregdetare.
“Ndërsa jemi në përmbyllje të procesit të aplikimeve për stacione plazhi dhe në përpunimin e kontratave të reja të miratuara për vitin 2026 e në vijim, po koordinojmë angazhimin me pastrimin dhe me formalizimin e aktiviteteve të lidhura me tërë vijën bregujore”, thekson ministri.


