Ministri i diasporës, Xhemail Çupi ka realizuar takim pune drejtorin e Drejtorisë për udhëheqjen e Librave Amë, Blerim Abazin, ku temë ka qenë pajisja e diasporës me dokumentacionet e nevojshme gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje, pa u shkaktuar tollovitë e zakonshme.
“Diskutuam për mënyrën e lehtësimit të dhënies së dokumentacioneve nga ana e Drejtorisë së Librave Amë për qytetarët të cilët jetojnë në diasporë, sidomos gjatë periudhës së verës kur fluksi i mërgimtarëve është më i madh.
Gjithashtu u diskutua që të bëhen reforma të duhura ligjore në vend me qëllim që të harmonizohen me nxjerrjen e dokumentave dixhitale që tashmë aplikohet në botën Perëndimore”, njoftoi ministri Çupi pas takimit.
Drejtori Abazi takimin e vlerësoi të frytshëm duke siguruar se kjo drejtori do të bejë maksimumin për lehtësimin e dhënies së dokumentacioneve nga Drejtoria e librave amë për qytetarët të cilët jetojnë në diasporë, duke evituar maltretimet që kanë ekzistuar në të kaluarën.