“Bashkëpunim ndërkombëtar në hapësirën kibernetike” – ishte titulli i sesionit plenar në të cilin u drejtua ministri për shoqëri informatike, Admirim Haliti, me fjalim në suaza të eventit prestigjioz dhe konferencës “Cybertech Global Telaviv 2022” në Tel Aviv.
Ky event botëror, i bashkoi në një vend një numër të konsiderueshëm të ekspertëve të kibernetikës, delegacionet ndërkombëtare dhe kompanitë nga sfera e TIK-ut. Ata biseduan rreth mundësive të cilat i ofron industria kibernetike, qasjet inovative, si dhe sfidat dhe zgjidhjet e mundshme në kontekst të kërcënimeve në nivel global.
“Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e qartë sa sot se siguria kibernetike nuk është një çështje e ngatërruar teknike që u takon ekspertëve të teknologjisë, por një komponentë jetike e sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, tha mes tjerash në fjalimin e tij Aliti.
Në kuadër të vizitës në Izrael, delegacioni i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, së bashku me ambasadoren e Izraelit në Maqedoninë e Veriut, ata realizuan takime me përfaqësues të shtatë kompanive, veprimtaria kryesore e të cilave është siguria kibernetike, por edhe me homologun e tij izraelit.
“Kisha një takim të shkëlqyer me homologun izraelit Yoaz Hendel në kuadër të vizitës disaditore në Izrael të delegacionit të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
U pajtuam që të ngremë në një nivel krejt të ri bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave të mira në fushën e telekomunikacionit dhe digjitalizimit të shërbimeve publike ndërmjet Izraelit dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Haliti.
Gjatë kësaj vizite Aliti është takuar edhe me ministrin kosovar të puneve të brendshme, Xhelal Sveçla.