Deputeti i VMRO-DPMNE-së dhe anëtar i Këshillit Ekzekutiv të partisë, Antonio Milloshoski, sot theksoi se Marrëveshja për Partneritet Strategjik me Britaninë nuk parashikon ndërtimin e kampeve të refugjatëve në Maqedoni.
Me këtë, ai i mohon shkrimet në mediat britanike se azilkërkuesit nga Britania e Madhe do të qëndrojnë në vend.
Ai potencoi se Marrëveshja është një nga dokumentet më të mira dhe më serioze që vendi ka arritur me një shtet serioz si Britania dhe parashikon bashkëpunim të përbashkët në investime, infrastrukturë, siguri dhe ekonomi, por jo edhe kampe për refugjatë.
“Me këtë Marrëveshje për Partneritet Strategjik parashikohen fonde të caktuara me të cilat në Maqedoni do të ndërtohet infrastruktura. Vërtet, do të ndërtohen projekte hekurudhore, autostrada, infrastrukturë shëndetësore dhe energjetike, por, për fat të keq për opozitën që po përpiqet të bëjë spin, nuk do të ndërtohen kampe për refugjatë. Britania pasi doli nga Bashkimi Evropian, me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimir, por edhe me vetë BE-në ka bërë marrëveshje të tilla, ku Britania po rivendos bazën ligjore të Fronteksit, ku Maqedonia dhe vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate kanë një bazë ligjore për të luftuar migrimin e organizuar dhe të paligjshëm dhe për të mbrojtur kufijtë, këtë e bën Britania me këtë mekanizëm shtesë, i cili është plotësues i Fronteksit. Dhe së fundmi, nuk ka përgënjeshtrim më të mirë për spine të tillë nga disa partnerë të opozitës nga deklarata e ambasadorit britanik, se marrëveshja strategjike Britani-Maqedoni konfirmon dhe parashikon investime në infrastrukturë, në ekonomi, siguri dhe arsim, por nuk parashikon kampe të refugjatëve në Maqedoni”, tha Milloshoski.
Millososki potencon se të gjithë ata që po përpiqen ta shtrembërojnë më tej këtë temë, qartësisht u mungon vizioni dhe projektet që do të ofronin në mënyrë që Maqedonia të ketë partnerë më të qëndrueshëm dhe shtete mike si Britania e Madhe.
Mediat britanike këtë ditë raportuan se Britania po negocion për të deportuar azilkërkuesit e refuzuar në Maqedoninë e Veriut. Sipas raportimeve, të dy shtetet kanë qenë në negociata zyrtare që nga vjeshta e këtij viti për të realizuar këtë plan.


