AC Milan ka zhvilluar kontaktet e para konkrete me Bayer Leverkusen për transferimin e sulmuesit nigerian Victor Boniface, në kuadër të përforcimeve për sezonin e ri. Lajmi konfirmohet nga burime pranë klubit dhe raportohet fillimisht nga Calciomercato, transmeton ORAinfo.
Pas afrimit të Santiago Gimenez, kuqezinjtë kërkojnë një qendërsulmues të dytë me profil të ndryshëm, për të kompletuar repartin ofensiv në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri. Igli Tare, i përfshirë tashmë në mënyrë aktive në strategjinë e merkatos, po vlerëson mundësinë e transferimit të Boniface, duke analizuar kushtet ekonomike të një marrëveshjeje me klubin gjerman.
Boniface, i cili ka spikatur me Leverkusenin në Bundesliga dhe kompeticionet evropiane, shihet si një profil i përshtatshëm për stilin e ri të lojës që po ndërtohet në Milanello. 24-vjeçari ka qenë nën vëzhgim nga skautët e Milanit prej më shumë se një sezoni.Ende nuk ka një ofertë zyrtare, por palët janë në fazën e parë të diskutimeve për të kuptuar qëndrimin e lojtarit dhe mundësitë financiare të një transferimi. Leverkusen vlerëson kartonin e Boniface mbi 50 milionë euro, çka mund të kërkojë një formulë të strukturuar me huazim dhe detyrim blerjeje.
Bisedimet pritet të intensifikohen në javët e ardhshme, ndërsa Milani vijon të shqyrtojë edhe alternativa të tjera si Mateta, Jackson, Nunez apo Vlahovic. Megjithatë, Boniface duket se po fiton gjithnjë e më shumë terren si objektivi kryesor për sulmin kuqezi.