Shkruan: Kim Mehmeti
Mikut tim Gafurr Abdiut, në vend të kurorës!
Ti tani e ke më lehtë se unë: nuk të ngarkojnë as kujtimet nga ajo që përjetuam bashkë, e as që ke nevojë që të ritakohemi e t’ia themi njëri tjetrit të pathënat.
Si mik ti gjithmonë më jepje më shumë seç e meritoja, përpos tani kur mbeta i vetëm që ta bart barrën e dhembjes si dhe atë të kujtimeve për ditët, muajt, vitet… kur ëndërronim që ti të bëhesh botues i madh e unë shkrimtar i shtëpisë tënde botuese.
Kam pasur shumë miq që kanë qenë më të mirë se unë, miq me të cilët kam ndarë shumëçka në jetë, por miqtë si ti janë të rrallë, mbase pse tërë kohën ta rrisin peshën e ndjenjës se të janë si dhuratë e pamerituar, se janë aq ‘dorëshpuar’ sa të japin më të vlefshmen që kanë, pa të kërkuara asgjë si kundërvlerë.
Po pra, tani për ty nuk kanë asnjë vlerë as kujtimet për miqësinë tonë të dikurshme dhe as që ndjenë nevojë të ritakohemi që të mund të ta them atë që nuk ta thash kurrë: mirësia jote shpeshherë më ngulfaste e më bënte të ndjehem ‘keq’!
Njësoj siç më ngulfat tani dhembja për ty!