Trupat amerikane i janë bashkuar forcave nga Britania, Franca, Italia dhe shtetet aleate të enjten në stërvitjet ushtarake të mbajtura në anëtarin më të ri të NATO-s, Maqedoninë e Veriut, me synimin që të shfaqë gatishmërinë e pozicionimit përgjatë kufijve lindorë të aleancës, raportoi AP.
Afër 10,000 ushtarë nga 19 vende po marrin pjesë në stërvitjet “Swift Response” të NATO-s teksa lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon në javën e 12-të. Stërvitjet po mbahen në pesë lokacione të ndara, duke u shtrirë nga Norvegjia në Maqedoninë e Veriut, kanë thënë zyrtarët ushtarakë.
“Mendoj se është demonstrim fantastik i asaj se çfarë mund të bëjmë si aleancë dhe aftësisë sonë për të planifikuar fuqinë luftarake nëse kërkohet ajo dhe sa shpejt mund ta bëjmë atë”, ka thënë gjenerali Peter B. Andrysiak.
Përgjatë dhjetë ditëve të fundit, rreth 4600 ushtarë nga Shqipëria, Franca, Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Britania dhe SHBA-ja, kanë marrë pjesë në stërvitje, përfshirë hedhjet me parashutë në lokacione të ndryshme të vendit.
Maqedonia e Veriut iu bashkua zyrtarisht NATO-s në mars të vitit 2020. Shteti i 1.8 milionë banorëve ka ushtri aktive me rreth 8000 personel.