Ish-drejtori i DSK-së, i akuzuari kryesor për përgjimin e paligjshëm të mbi 20 mijë qytetarëve në rastin Target-Fortesa, Sasho Mijallkov pohon se dëshmitarët kryesor, Gjorgji Llazarevski dhe Xvonko Kostovski kanë marrë para për të nxjerrë bisedat e përgjuara nga DSK-ja. Mijallkov në tentativë për ta diskredituar Kostovskin, pyeti nëse ai posedon aksione në vlerë mbi 40 mijë euro, dhe nëse Gjogji Llazarevski ka patur mbi 100 mijë euro në llogari bankare.
Sasho Mijallkov, i akuzuar
“Keni thënë se nuk ju kanë paguar për ti nxjerrë bisedat e përgjuara, por a e dini se në llogari të Llazarevskit dhe anëtarëve të familjes së tij, janë gjetur 100 mijë euro, ndërsa ju keni aksione në vlerë mbi 40 mijë euro. Këto informacione i mbaj mend nga hetimi për rastin ‘Puç’”.
Por, Kostovski ishte decid se ai nuk ka marrë asnjëherë para për të nxjerrë biseda të përgjuara. Të paktën për vete, ai siguronte se asnjëherë nuk ka qenë i paguar dhe tha se këto pohime janë të rrejshme.
Xvonko Kostovski, dëshmitar
“Këto janë spekulime. E lus gjykatën që të kontrollojë këtë pohim dhe të dorëzojë prova. Kjo është vetëm gënjeshtër.
Gjatë gjykimit të sotëm, ish drejtori i DSK-së tentonte të imponojë edhe mendimin se dikush nga jashtë ka përgjuar paralelisht me DSK-në, duke tentuar të hedhë poshtë teorinë se Kostovski dhe Llazarevski i kanë kopjuar bisedat nga DSK-ja.
Sipas Mijallkovit, gjatë një periudhe të caktuar, pas instalimit të pajisjeve të reja për përgjim, kompania izraelite që ua ka shitur pajisjet u ka dorëzuar raport se në Shkup në atë kohë në terren, kanë punuar kësi lloj pajisesh, duke lënë të kuptohet se dikush paralelisht me DSK-në ka përgjuar në mënyre të paligjshme. Por, dëshmitari Xvonko Kostovski insistonte se kualiteti i lartë i bisedave nga të dy palët, është dëshmitar se përgjimet vijnë nga brenda DSK-së.
/SHENJA/


