Kryetari Qeverisë, Hristijan Mickoski, i ftuar në RTM, duke folur për projektin “Safe City”, theksoi se projekti po jep rezultate, qytetarët po respektojnë rregullat e komunikacionit dhe ka një ulje të ndjeshme të shkeljeve në trafik, ndërsa sa i përket protestave për automjete të paregjistruara dhe drejtimit pa patentë shoferi, ai theksoi se ligji duhet të respektohet dhe nuk ka kompromis – duhet të ketë rend.
Kryeministri Mickoski nuk ka dilema se kjo qasje do të përballohet dhe falënderoi qytetarët e Maqedonisë për respektimin e rregullave dhe drejtimin më të sigurt të automjeteve, duke sqaruar se numri i shkeljeve, konkretisht në Shkup, është më i vogël krahasuar me periudhat kur MPB-ja zhvillonte aksione të organizuara.
“Nëse tani ai numër është nën 500, ndërsa në të kaluarën statistikat tregojnë se kur MPB zhvillonte aksione të organizuara në komunikacion konstatoheshin rreth 1000–1200 shkelje, kjo do të thotë se tani shoferët realisht po i respektojnë rregullat e komunikacionit. Në një ditë të zakonshme, kur nuk ka aksion të organizuar, policia e trafikut sanksionon mes 300 dhe 500 shkelje në territorin e Shkupit. Kjo do të thotë se me këtë sistem të mençur jemi brenda këtyre kornizave për të cilën po flas dhe kjo përfaqëson rutinë të rregullt pune për MPB-në, ndërsa dallimin është se kemi një numër shumë më të vogël të aksidenteve rrugore – ky numër është përgjysmuar dhe që nga fillimi i zbatimit zyrtar në fillim të shkurtit nuk ka viktima. Mendoj se nga e gjithë kjo përfitimin më të madh e kanë vetë qytetarët dhe shoferët. E njëjta gjë po ndodh edhe në Tetovë dhe Kumanovë, ku nuk janë evidentuar më shumë se 20–30 shkelje në ditë dhe 50–80 në korridoret 8 dhe 10. Në përgjithësi jemi diku mes 500 dhe 600 shkeljeve në territorin ku funksionon sistemi”, theksoi kryeministri Mickoski.
Sa i përket protestave dhe kërcënimeve për drejtim pa patentë shoferi dhe me automjete të paregjistruara, kryeministri Mickoski theksoi se MPB-ja ka ndërmarrë aksione dhe veprime konkrete ndaj atyre që e kanë kaluar kufirin dhe se nuk do të tolerohet dhuna ose çdo formë proteste që nuk është paqësore.
“Thashë sjellje të egër, mënyra se si një grup i caktuar protestoi mund të kuptohej si kërcënim për jetën dhe lirinë e personave të tjerë, pavarësisht nëse janë civilë apo pjesëtarë të MPB-së, dhe nga ana tjetër kemi edhe shkatërrim të pronës shtetërore. Kudo që do konstatohet kjo, do të ngrihet kallëzim penal ndajatyre që po e bëjnë këtë. Nëse dikush mendon se kjo do të mbetet pa u ndëshkuar, atëherë gabon.
Kështu që çdo shprehje e revoltës në mënyrë demokratike dhe paqësore është në rregull dhe secili ka të drejtë për këtë. Ky grup thotë ne duam të drejtojmë automjete pa poseduar patentë shoferi legale. Ne themi se kjo nuk mund të lejohet”, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se nëse revolta shprehet në mënyrë paqësore, shteti mund ta sigurojë atë, por nëse tejkalohet kufiri, shteti duhet të reagojë ashpër dhe do të reagojë nëse dikush e kalon kufirin, përkatësisht Rubikonin.
“Kam kërkuar nga MPB-ja të reagojë ashpër ndaj atyre që po e bëjnë këtë dhe e rrezikojnë të drejtën e lirisë, jetën e qytetarëve, qoftë civilë apo pjesëtarë të MPB-së, si dhe që shkatërrojnë pronë shtetërore ose shkaktojnë dëme të tjera. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këto veprime. Ne jemi shtet juridik, pjesë e NATO-s, shtet që synon të bëhet pjesë e BE-së dhe ky është viti kur po vendoset rend në komunikacion dhe në sfera të tjera të shoqërisë. Duhet të kemi rend nëse duam të jemi shtet. Për sa kohë që unë jam kryetar i Qeverisë, ligjet duhet të respektohen. Ligji thotë se për të drejtuar automjet duhet të kesh leje qarkullimi të vlefshme, nëse nuk ke, nuk do të drejtosh automjet, ndërsa nëse drejton pa dokument të vlefshëm do të mbash përgjegjësi para ligjit. Këtu nuk ka kompromis”, ishte i prerë kryeministri Mickoski.


