Tre kërkesat e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov janë edhe më radikale se ato të Karakaçanovit. Ky është qëndrimi i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pasi dje Petkovi kërkoi nga Maqedonia që të pranojë ta respektojë qëndrimin kornizë të miratuar në Parlamentin bullgar, bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë dhe të zbatohet Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë. Mickoski thotë se propozimi i Petkovit është vetëm një tentim për të mbajtur koalicion, me, siç tha, nacionalizmin ultra-radikal. Sipas tij, do të ishte e pranueshme vetëm nëse Bullgaria e shfuqizon Rezolutën e vitit 2019 dhe deklarohet se nuk ka asnjë çështje të hapur ndaj Maqedonisë.
“Këto tre kërkesa janë madje më radikale se kërkesat e Karakaçanovit. Sepse ai tani thotë kështu: Deklarata e Parlamentit, e cila siç po e them vazhdimisht është ultra-asimiluese dhe hegjemoniste, pastaj thotë: bullgarët në Kushtetutë dhe në fund thotë: Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë. Unë nuk e di cili njeri normal në Maqedoni do ta pranonte këtë. Unë nuk e di nëse ekziston njeri i tillë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë Bullgarinë përsëri e “lëkund” krizë politike pasi partia “Ka një popull të tillë” e Slavej Trifonovit e lëshoi koalicionin, me arsyetimin për shkak të politikave të kryeministrit bullgar Kiril Petkov për heqjen e vetos për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. Deputeti i kësaj partie Stanislav Ballabanov doli para mediave bullgare duke prezantuar, siç pohon, plan të shkruar me dorë nga Petkovi – së pari të hiqet vetoja ndaj Maqedonisë e pastaj të plotësohen obligimet nga ana e palës maqedonase.
Presidenti bullgar Rumen Radev sot doli me qëndrim që vetoja ndaj Maqedonisë të mbetet derisa formohet shumica e re parlamentare në Bullgari. E gjithë kjo po ndodh para vizitës së nesërme të kancelarit gjerman Olaf Sholc në vendin tonë, i cili pastaj shkon në vizitë në Bullgari me qëllim të tejkalohen çështjet e hapura mes Sofjes dhe Shkupit.