Kryeministri Hristian Mickoski sot duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve tha se në periudhën që vijon do të emërohen emra të rinj në vendin e Aleancës për Shqiptarët, krah i Arben Taravarit, të cilët dolën nga koalicioni qeveritar.
“Në mbledhjen e rregullt të Komitetit Ekzekutiv mbrëmë, diskutuam situatën aktuale ekonomike dhe politike në vend. Pres t’ua paraqes propozimet për kandidatët për kryetar komune anëtarëve të KE-së deri në fund të muajit, dhe që andej do t’i kalohet Komitetit Qendror. Anëtarët e KE-së më kanë autorizuar që në periudhën e ardhshme të nominoj emra të rinj që do të zëvendësojnë emrat e atyre që vendosën të shkojnë në krahët e Ali Ahmetit dhe BDI-së, gjegjësisht nga partia e Arben Taravarit”, tha Mickoski pas vendosjes së gurthemelit të një salle sportive shkollore në një objekt rajonal të SHF “Goce Delçev” në fshatin Lisiçe e Poshtme, Komuna Aerodrom.
Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse dikasteret të cilat i braktisi Taravari do t’i mbeten VLEN-it ose do të ndahen, tha se në periudhën e ardhshme do të jenë më të qarta shumë gjëra, bëri thirrje për durim dhe shfaqi bindje se do të arrihet marrëveshje.
Mbrëmë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, në të cilën u diskutua për gjendjen aktuale ekonomike dhe politike në shtet, e autorizoi liderin e partisë dhe kryetarin e Qeverisë, Hristian Mickoski të propozojë vendime të reja kadrovike në pozitat të cilat deri më tani i takonin Aleancës për Shqiptarët, pas vendimit të Arben Taravarit që të largohet nga koalicioni qeveritar.
“Ky hap i Taravarit ishte vlerësuar se përfaqëson edhe një dëshmi se grupi i mbrojtësve të krimit dhe korrupsionit fiton radhë të reja – edhe një maskë ra, edhe një iluzion u zbulua. Në skenën politike u paraqit kuartet i ri, i koordinuar mirë i marionetave: LSD, Aleanca, BDI dhe E majta – emra të ndryshëm, por pronari i njëjtë. Maska të ndryshme, por skenaristi i njëjtë”, informuan dje nga partia.
BDI, siç bëjnë të ditur, “me vite të tëra investoi në krijimin e konkurrentëve të rremë politikë të cilët në fakt janë duar të tyre të zgjatura. Ashtu i morën LSD-në dhe Aleancën e Taravarit – parti me besim gati se të njëjtë, të gatshëm të shpenzohen në funksion të përpjekjes për kthimin e BDI-së në pushtet. Dhe siç është rasti me ndonjë mall të konsumuar, ashtu edhe këta do të hidhen në mbeturina politike kur do ta përfundojnë detyrën e tyre”.
Dje ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së jashtme, Timço Mucunksi theksoi se nëse Arben Taravari ka për qëllim të bashkëpunojë me BDI-në, atëherë VMRO-DPMNE nuk do të bashkëpunojë me të, duke shtuar se shumica qeveritare është e qëndrueshme.
“Qeveria është e qëndrueshme, shumica qeveritare është e qëndrueshme. Qeveria po punon me përkushtim për reformat. E thashë këtë disa javë më parë, se nëse zotëri Taravari vendos të bashkëpunojë me BDI-në, atëherë ai nuk mund të bashkëpunojë me VMRO-DPMNE-në. Ne, si subjekt politik, nuk jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me dikë që synon të veprojë më tej politikisht në koordinim me BDI-në, të paktën derisa BDI të reformohet, dhe BDI aktualisht është larg të qenit një subjekt politik i reformuar”, tha Mucunski. Ai theksoi se pikërisht BDI është fajtore për pozitat e dëmtuara në politikën e jashtme, dhe për këtë arsye një subjekt i tillë politik nuk mund të jetë partner me VMRO-DPMNE-në.
Të hënën në mbrëmje, pas takimit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në konferencë për media deklaroi se po largohet nga koalicioni qeveritar dhe se po shkojnë në opozitë. Sipas tij, i njëzëshëm ishte vendimi në parti në këtë takim në të cilin ishin funksionarët e partisë dhe kryetarët e degëve. Ai atëherë tha se janë krenarë për ndryshimin në bllokun politik shqiptar të cilin e bënë pas dy dekadave, por se ndryshimet nuk ishin të mjaftueshme. Taravari paralajmëroi se do të ketë edhe një takim me kryeministrin Hristian Mickoski.