Ahmeti është politikan i mençur dhe me përvojë, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski para takimit të nesërm me të. Ai në një intervistë në emisionin “Samo vistina” të Kanal 5 tha se pret që ky takim të jetë fillim i shoqërisë së re, shkruan Nova TV, transmeton Portalb.mk.
“Ahmeti është politikan i mençur dhe me përvojë. Unë si më i ri ndoshta do të mësoj ose do të marr ndonjë specifikë pozitive nga ajo bisedë. Absolutisht e respektoj si politikan dhe si njeri. E di se nga ajo bisedë do të marrim të dy benefite pozitive për partitë tona dhe për Republikën e Maqedonisë. Pres bisedë konstruktive dhe kuptimplote të dy miqve që tani po njihen dhe shpresoj se kjo do të bëhet praktikë e jona dhe në të ardhmen që të kemi takime më të shpeshta”, tha Mickoski.
Mickoski tha se nuk e konsideron BDI-në për armik politik, veçanërisht pas vendimit që nuk koalicionoi me VMRO-DPMNE-në pas zgjedhjeve parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar.
“Nuk e konsideroj për armik, si kundërshtar politik ndoshta, sepse është pjesë e qeverisë në të cilën ne jemi edhe kundërshtar politik”, shpjegoi Mickoski.
Sipas analistëve, ky ndryshim në retorikën e VMRO-DPMNE është një reflektim i pozitës së partisë.
“Ky është reflektim i kapaciteteve të tyre për koalicion, që janë realisht të reduktuar ndoshta në zero. Dhe unë mendoj se ky është në atë drejtim, ai mundohet ta ngritë kapacitetin e partisë të cilën e drejton, që e kanë konfirmuar edhe ata si problem”, tha analisti Musliu.
Musliu tha se është e paqartë se si mund të flasin rreth ligjit të gjuhëve për të cilin VMRO-DPMNE ka ngritur 35 000 amendamente, ndërsa nga BDI refuzojnë çdo ndërhyrje.
“Për ne puna e ligjt të gjuhëve është përfunduar, për të cilin janë dakorduar edhe nga VMRO-DPMNE me 29 janar”, thonë nga BDI.
Nga partia e BDI-së thonë se në takim me Mickoskin nuk do të hapet çështja e ligjit të gjuhëve.
Siç u njoftua edhe më parë, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, nesër do të takohet me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, njofton Portalb.mk.
Nga BDI kanë deklaruar se në agjendë të takimit të parë do të jenë emri, ligjet reformuese, dialogu, pushtet-opozitë, por edhe ligji për përdorimin e gjuhës.
Nga ana tjetër, Mickovski, sot deklaroi se pret që në takim të diskutohet për problemet reale dhe situatën aktuale politike dhe ekonomike në vend.
“I kemi ne faktet dhe argumentet tona për shymë çështje. Do të shohim se si do t’i prezantojnë ato fakte dhe argumente, në drejtim përmirësimit të kualitetit të jetës së qytetarëve tanë pasi që është qëllimi jonë elemtar dhe bazik – se si këtë vend ta bëjmë më të mirë për jetesë. Populizëm të zbrazët dhe pasione të ulëta nuk do të praktikojmë në politikën tonë”, tha Mickovski.
Ndryshe, ky është takimi i parë i Ahmetit me Mickovskin, prej kur ky i fundit erdhi në krye të partisë me të cilën deri para ca kohësh udhëhoqi Nikolla Gruevski. Mickoski, paraprakisht është takuar edhe me liderin e LSDM-së dhe kryeministër, Zoran Zaev.