Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Hrisitjan Mickoski në Konferencën e 34-të të Forcave Rinore të partisë, i komentoi kërkesat e BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mickoskit tha që BDI nuk ka kapacitet për luftë kundër krimit dhe korrupsionit si dhe për reforma, dy çështje që do të jenë bazike në zgjedhjet e ardhshme.
“Para zgjedhjeve premtuam se kjo qeveri nuk ka vend për këtë BDI kështu siç është, për BDI-në e cila është jo e reformuar, BDI-në e cila kishte mundësi 23 vite të tregojë dhe dëshmojë me çfarë kapaciteti disponon dhe atë e realizuam…Dy çështje bazike do të jenë të rëndësishme. E para do të jetë lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe e dyta realizim të reformave. As LSDM, as BDI-ja e as cilido nga opozita nuk kanë kapacitet as për luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe as për realizimin e reformave”, deklaroi Hristijan MIckoski, kryeministër.
I menjëhershëm ishte reagimi i BDI-së, të cilët fjalimin e quajnë britmë, fyerje dhe provokim në mungesë të rezultateve të qeverisë. Sipas integristëve, i vetmi program që i ka mbetur përballë dështimeve, është urrejtja, përçmimi dhe përjashtimi i shqiptarëve, shpifjet dhe nxitja e ndarjeve ndëretnike.
“Thotë se BDI-ja ka pasur 23 vite për të treguar kapacitetin? Po, pikërisht në ato vite, vendi u bë anëtar i NATO-s, u afrua drejt Bashkimit Evropian, ndërtoi modelin më funksional të bashkëjetesës multietnike në rajon dhe kontribuoi në stabilitetin rajonal përmes dialogut dhe mençurisë… Mickoski dhe partia e tij, nga ana tjetër, janë identifikuar gjithmonë me urrejtje ndëretnike, bllokada, izolim dhe korrupsion masiv”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Zgjedhjet e ardhshme në vend pritet të mbahen në tetor, në të cilat do të zgjidhen krerët e ardhshëm të komunave. Megjithatë, bashkë me ato opozita kërkon që të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Deri më tani, nuk ka një dakordim rreth kësaj çështjeje edhe pse thuajse të gjitha partitë janë në gjendje gatishmërie. /Alsat.mk