Prej sot është lëshuar në përdorim rruga e rikonstruktuar Ohër–Shën Naum, me gjatësi prej 24.3 kilometrash dhe investim prej 11.7 milionë euro. Në përurim, kryeministri Hristijan Mickoski, u shpreh se rruga e harruar për vite me radhë, tani është transformuar në një aks modern me të gjitha standardet e sigurisë dhe sinjalistikës rrugore.
Mickoski shtoi se investimi në infrastrukturë është investim në të ardhmen, duke nxitur turizmin, ekonominë dhe lidhjen rajonale. Rruga lidhet me manastirin e Shën Naumit dhe bregun jugor të Ohrit, si dhe shërben si nyje me Shqipërinë fqinje. Sipas Mickoskit, Ohri po shndërrohet në një destinacion europian të vërtetë.
“Me një investim prej 11,7 milionë euro, kemi rikonstruktuar 24,3 kilometra rrugë moderne magjistrale. Rikonstruksioni përfshiu sanim tërësor të rrugës, vendosje të sinjalistikës së re, mbrojtëse sigurie dhe zgjerim ku terreni e lejonte. Janë bërë edhe ndërhyrje mbrojtëse në pjesët e rrezikshme të shpatit – dhe e gjithë kjo ka një qëllim: siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.