Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski në Sofje ka realizuar takim me kryeministrin bullgar Bojko Borisov dhe Kryetarin e Partisë Popullore Evropiane, Zhozef Doll.
Takimi, siç kumtoi VMRO-DPMNE, vjen pas ftesës së kryeministrit bullgar dhe është pjesë e aktiviteteve dhe agjendës të intensifikuar të Bullgarisë në kuadër të kryesimit me Bashkimin Evropian.
“Në takim u bisedua për agjendën evropiane të rajonit dhe përforcimin e bashkëpunimit në kuadër të partisë Popullore Evropiane pjesë përbërëse e së cilës është edhe VMRO-DPMNE-ja”, thuhet në kumtesë.
Lideri i VMRO-DPMNE-së ka theksuar se prioritet strategjik paraqet anëtarësimi në BE si orientim thelbësor përmes së cilit duhet të mundësohet avancim i standardeve dhe mundësimi i shanseve për përparim.
Mickoski ka potencuar se Maqedonia për fat të keq ka proces reformues i cili zhvillohet nën nivelin e dëshiruar dhe plani i qeverisë 3-6-9 ka ngelur i paplotësuar.
“Janë të nevojshme përmirësime kyçe para se gjithash reforma në sistemin gjyqësor, mbështetje e ekonomisë dhe zhvillim i saj themelor, ku për fat të keq deri më tani i kemi një ndër rezultatet më të dobëta ekonomike si shtet, si dhe masat për mundësimin e arsimit cilësor si shtyllë kyçe për zhvillimin e një shoqërie”, ka shtuar Mickoski.
Lideri i VMRO-DPMNE-së në bisedën me kryeministrin bullgar ka theksuar se partia është për zhvillim të marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në parime dhe respekt reciprok.