Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, u bëri thirrje deputetëve nga opozita që të mbështesin ndryshimet në Kodin Zgjedhor për një njësi zgjedhore, por siç tha t’i lejohet edhe diasporës të votojë.
“Sa i përket ligjit për vetëqeverisjen lokale, qëllimi është krejtësisht tjetër. Qëllimi është që të mund të bëhen ndryshime që do të jenë në përputhje me proceset zgjedhore kur zgjidhen kryetarët e komunave, këshilltarët, etj. Nuk është qëllimi nëse kemi rezidentë apo jo-rezidentë. Por meqenëse tashmë po e parashtroni këtë pyetje, unë do t’ju ftoja të gjithëve që së bashku ta ndryshojmë Kodin Zgjedhor dhe ta bëjmë një njësi të vetme zgjedhore. Dhe në atë njësi të vetme zgjedhore t’i lejojmë edhe diasporës të votojë, të lejojmë të formohen vendvotime në ato shtete ku në përputhje me Kushtetutën, lejohet të krijohen vendvotime jashtë përfaqësive diplomatiko-konsullore – tha ai dhe shtoi:
“Ja, unë jam i gatshëm menjëherë, i shoh deputetët nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së që ta mbështesim atë ligj ku do të kemi një njësi të vetme zgjedhore. Dhe le të mos filozofojmë pse ka kaq shumë këshilltarë, le ta hapim këtë çështje dhe ta mbyllim. Të kemi një njësi të vetme zgjedhore, dhe në atë njësi të vetme zgjedhore të votohet duke përfshirë edhe votat e diasporës – dhe jo vetëm në përfaqësitë diplomatiko-konsullore (PDK), por kudo ku ligji i atij shteti lejon që të votohet jashtë PDK-ve. Jam menjëherë i gatshëm ta mbështes atë ligj dhe ju jap fjalën time se edhe grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do ta mbështesë”.