Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski njofton se edhe zyrtarë të VMRO-së janë nën hetim për tragjedinë në Koçan.
Mickoski për “Alsat” duke iu përgjigjur vërejtjeve publike se zyrtarët aktualë të VMRO-së nuk janë përfshirë në hetimin për tragjedinë në Koçani, tha se nuk do të hyjë në një debat përmbajtjesor, por theksoi se një hetim për rastin po zhvillohet edhe kundër individëve nga partia që ai drejton.
“Kryetari aktual i qytetit, nga radhët e VMRO-së, është subjekt i hetimit, mendoj se ai është ende në arrest shtëpiak. Do t’ju kujtoj se një anëtar i qeverisë aktuale ishte gjithashtu në paraburgim, si dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe shumë të tjerë që ishin të lidhur në të kaluarën me VMRO-në”, tha Mickoski.
Mickoski shprehet i prerë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, pavarësisht kërkesës së BDI-së për këtë.
“Jo jo nuk shoh arsye që të kemi zgjedhje të dyfishta. BDI-ja mund të kërkoj, por unë nuk shoh arsye pse ne të kemi zgjedhje të dyfishta. Qytetarët do të tregojnë në tetor se në çfarë shteti dëshirojnë të jetojnë, nëse dëshirojnë të jetojnë në shtet ku blihen qendra tregtare, ku blihen vetura të shtrenjta…Pres që koalicioni VLEN të këtë rezultat më të mirë në zgjedhjet e tetorit, të ketë një komunë më tepër se Fronti Evropian dhe Taravari. VLEN ka shumë më tepër potencial se koalicioni i ri mes Taravarit dhe BDI-së”, tha Mickoski.